Ish-ambasadori gjerman në Kosovë, Ernst Riechel, ka sqaruar se bërja e simbolit me duar nga Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri nuk dallon nga shfaqja e flamurit dhe se flamujt shfaqen në secilën ndeshje ndërkombëtare.
Prandaj, një veprim i tillë nuk duhet të konsiderohet si ofendues. Këto komente, diplomati gjerman i ka bërë përmes një postimi në Facebook, në kohën kur FIFA ka nisur hetimet në lidhje me festën e dy futbollistëve shqiptare pas fitores ndaj Serbisë.
Zvicra triumfoi me rezultat 2-1 në takimin e dytë në kuadër të Grupit E, ndërsa të dy golat u shënuan nga lojtarët shqiptarë që e përfaqësojnë atë shtet. Dhe me rastin e festës, edhe Xhaka edhe Shaqiri bënë simbolin e shqiponjës me duar.
Veprimi i tyre mund të ndëshkohet në rast se merret në konsideratë Neni 54 i Kodit disiplinor të FIFA-s, mirëpo Reichel e ka bërë të qartë se veprimet e dy futbollistëve nuk bien ndesh me rregullat.
“Nuk mund ta kuptoj pse mund të ofendohet dikush kur dy lojtarë të Zvicrës bëjnë simbolin e flamurit shqiptar pas golave të tyre”.
“Shqiponja dykrenore është simbol në flamurin shqiptar (dhe disa flamuj të tjerë). Bërja e simbolit nuk dallon nga shfaqja e flamurit. Ndërsa flamujt shfaqen në secilën ndeshje ndërkombëtare”.
“Prandaj nuk ka asgjë të keqe që të jesh krenar me vendin tënd apo origjinën tënde”, ka shkruar Reichel në një postim në Facebook duke e shoqëruar me flamurin shqiptar.