Ish-ambasadori i Kosovës në Bullgari, Edon Cana, teksa është pyetur se çfarë po fshihet për draftin e Asociacionit, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po fshihet nga historia e tij personale dhe nga kauza politike.
Dhe kjo sipas tij, është kundërshtimi i Asociacionit.
I ftuar në emisionin “Five”, në RTV Dukagjini, Cana ka thënë se draft-statuti për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është final dhe i pranuar nga vetë kryeministri Kurti.
“Këtu Albin Kurti fshihet nga historia e tij personale dhe nga kauza politike e tij. Dhe kjo është kundërshtimi i Asociacionit, ai po fshihet pas kësaj dhe po përpiqet në formën sa më populiste dhe më të butë të mundshme t’ia shes popullit apo elektoratit të tij. Drafti është final dhe i pranuar nga Albin Kurti, publikisht e ka pranuar se e ka pranuar atë draft. Nëse e marrim Marrëveshjen Bazike të Brukselit dhe aneksin e Ohrit ne e shohim se ka disa elemente shtesë të cilët nuk kanë ekzistuar në vitin 2013 dhe 2015 dhe kjo është shqetësuese”, tha ai.
Vetëmenaxhimi, çështja e së drejtës së Kishës ortodokse serbe dhe drafti i cili ka disa elemente si në raportin me pushtetin qendror dhe lokal, janë disa nga elementet që sipas tij janë shtesë nga marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015.
“Janë tre elemente: i pari është elementi i vetëmenaxhimit, elementi i dytë është çështja e të drejtës e Kishës ortodokse serbe dhe elementi i tretë ka të bëjë me vetë draftin i cili ka disa elemente si në raport me pushtetin i cili nëse ka karakter territorial edhe në raport me pushtetin qendror në njëfarë forme ato ingerencat të cilat pushteti lokal i ka, i transferohen Asociacionit dhe krijojnë pa asnjë dyshim një nivel të ri në sistemin kushtetues të Kosovës i cili vetëmenaxhimi do të shërbejë si një organizim politik dhe Asociacioni si një mekanizëm për zbatimin e agjendës politik me karakter territorial, do të shpie deri në një autonomi territoriale. Kurti ka bërë një gabim fatal i cili diplomatik për të cilin duhet t’i japë llogari edhe elektoratit por edhe vetë historisë sa i përket normalizimit të mosnjohjes në mes të dy shteteve si dhe ku ka ikur njohja në qendër e cila ishte e obligueshme dhe qëllimi SHBA-ve”, shtoi ai.
Po ashtu, ai shtoi se ndonëse Kurti po i akuzon deputetët e partive opozitare për mos ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në kuvend, sipas Canës, Lëvizja Vetëvendosje është pikërisht ajo që dikur kishte kundërshtuar marrëveshjen ndërkombëtare të MSA-së.
“Kosova luftonte për anëtarësim në UNESCO, në INTERPOL, në Këshill të Evropës, luftonte për ta marrë një MSA të duhur të cilën vetë Kurti, marrëveshjen më të rëndësishme ndërkombëtare që e ka nënshkruar Kosova, e ka kundërshtuar LVV dhe sot e shohim se si LVV e kritikon opozitën pse nuk i voton marrëveshjet ndërkombëtare por marrëveshjen ndërkombëtare MSA nuk e kishte votuar vetë”, ka deklaruar tutje Cana.