Raportuesi për Këshillin e Evropës, dhe përpiluesi i raportit me pretendime për trafik organesh, Dick Marty, ditë më parë bëri të ditur se është kërcënuar me vdekje nga elementë radikalë të shërbimeve inteligjente serbe.
Marty ka thënë se më 18 dhjetor, 2020, ka pranuar një telefonatë nga policia, e cila e ka njoftuar se është i rrezikuar dhe se do të vendoset nën mbrojtje të lartë policore.
Ish-ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, përmes një shkrimi në Twitter, ka thënë se Marty është një nëpunës me karrierë të gjatë dhe se nuk duhet që në vendin e tij të jetojë nën masa sigurie 24/7.
Tutje Delawie thotë se Ballkani s’ka nevojë për telashe shtesë si rasti me “supozimet për vrasjen e Martyt”.
“Dick Marty është një nëpunës publik me karrierë. Ai nuk duhet të jetojë me siguri 24×7 në Zvicër, në vendin e tij. Ballkani nuk ka nevojë për ndonjë telash shtesë si ky komplot i supozuar i vrasjes”, ka shkruar Delawie.
Ndërkaq, Kryeministri Albin Kurti ka thënë të martën, 12 prill, se autoritetet e Kosovës do të bashkëpunojnë me shtetin e Zvicrës për të kuptuar më shumë për pretendimet e ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, se strukturat serbe të sigurisë kanë planifikuar vrasjen e tij.
Kurti ka thënë se duhet të dihen shkaqet, rrethanat dhe informacionet tjera për rastin, sepse ky rast nuk ka të bëjë vetëm me “Dick Martyn, por edhe me Kosovën dhe shqiptarët”.
Ndryshe, Marty ka qenë autor i një raporti për Këshillin e Evropës, në vitin 2010, në të cilin ai ka dënuar krimet e supozuara të UÇK-së, përfshirë “trafikimin e organeve njerëzore”.
Raporti është vërtetuar praktikisht me një raport të ri nga prokurori amerikan, Clint Williamson, në vitin 2014.
Vitin pasues, më 2015, është formuar pastaj Gjykata Speciale në Hagë për krime lufte në Kosovë./Telegrafi/
Mr. Marty is a career public servant. He should not have to live with 24×7 security in Switzerland, his own country. The Balkans does not need any additional trouble like this alleged assassination plot. https://t.co/jCAePwVlvJ
— Amb Greg Delawie (@GregDelawie) April 12, 2022