“Mbreti i drogës” Pablo Escobar kishte përdorur nëndetëset për transportimin e kokainës nga Kolumbia në Porto Riko, kurse prej atje është bartur me vetura për në SHBA.
Ish-agjentët e CIA-s kanë gjetur një nëndetëse të zhytur, për të cilën dyshohet se kishte kontrabanduar drogën e Escobarit, transmeton Telegrafi.
Nëse nëndetësja që është gjetur i përkiste Escobarit, atëherë shumë lehtë mund të zbulohet edhe vendi ku është fshehur pasuria e Escobarit prej 70 miliardë dollarëve.
Zhytësit që dikur punonin për CIA-në, Doug Laux dhe Ben Smith janë duke kontrolluar disa lokacione në brigjet e Kolumbisë, kurse gjatë muajit të kaluar Discovery Channel kishte përcjell këta dy “gjuetarë” të shpërblimeve, duke kërkuar thesarin e Escobarit.
Por, edhe pse ish-agjentët që u zhytën afër brigjeve nuk gjetën asgjë të vlefshme, një grup entuziastësh besojnë se tërmetet dhe uraganet kanë mundur të lëvizin mbetjet e nëndetëses.
Ata shpresojnë se do ta gjejnë thesarin diku në afërsi. Pablo Escobar ka qenë shefi i kartelit Medellin, që gjatë viteve të 80-ta kishte zotuar 80 për qind të tregut të kokainës që asokohe shitej në SHBA.
Karrierën e tij kriminale e filloi si adoleshent, duke shitur dhe kontrabanduar cigare dhe duke vjedhur vetura nëpër rrugët e Medellin në Kolumbi.
Ndërsa me kontrabandimin e drogës filloi të merret gjatë viteve të 70-ta, dhe besohej se kishte 15 aeroplanë e 6 helikopterë më të cilët kontrabandonte drogën në SHBA.
Gjatë viteve të 80-ta, Pablo Escobar kishte raste kur fitonte për një javë hiq më pak se 430 milionë dollarë, ndërsa për një vit rreth 22 miliardë dollarë.
Shumicën e parave të fituara nga shitja e drogës Escobar i fshihte në vende të ndryshme. Në vitin 1989, ai ishte renditur në vendin e 7 në listën e njerëzve më të pasur në botë sipas revistës Forbes.
Ndërkaq, në Kolumbi kishte fituar epitetin e Robin Hoodit, pasi i jepte të holla të varfërve dhe u ndërtonte shtëpi të pastrehëve.
Ai është vrarë në dhjetor të vitit 1993, duke tentuar nga kulmi së bashku me truprojën e tij. Disa pretendojnë se ai ka kryer vetëvrasje, pasi ka fshehur pjesën e madhe të parave në lokacione të panjohura. Ato para edhe sot e kësaj dite nuk dihen ku janë fshehur.
Gjatë vitit 2009 janë gjetur 8 milionë dollarë të fshehura në një kompleks të ndërtuar në xhungël, ku edhe ka qenë fabrika e tij që merrej me prodhimin e kokainës.
https://www.youtube.com/watch?v=kc2mdGky_Sc
Christian de Bouva, pronari i restorantit që në vitin 2014 bleu vilën e Escobarit në Miami për 10 milionë dollarë, beson se në oborrin e vilës ku ai jeton mund të ketë para të fshehura. /Telegrafi/