Site icon Telegrafi

Isa Mustafa, Shpend Ahmetit: Shpenzove shumë kohë e energji për punët që s’lidhen me prishtinasit

Kryeministri i Kosovës, e ish-kryetari i Komunës së Prishtinës për dy mandate, Isa Mustafa, është i rezervuar në gjykimet për punën e pasuesit të tij në krye të kryeqytetit, Shpend Ahmeti. Megjithatë, ka thënë se Ahmeti ka shpenzuar kohë e energji me punë që nuk kanë qenë shumë në interesin e prishtinasve.

Për të parin e LDK-së, Ahmeti është marrë me çështje që s’janë kompetenca të Komunës.

“Nuk preferoj që nga pozita që kam të jap komente të tepërta dhe vlerësime për njerëzit e zgjedhur nga qytetarët. Mendoj se është shpenzuar kohë dhe energji e madhe për çështje që nuk lidhen me përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe ka pasur një fokus të tepruar në tema që tejkalojnë kompetencat dhe përgjegjësitë politike të zyrtarëve komunalë”, tha kryeministri për Koha.net.

Sa i përket kandidatit të LDK-së për Prishtinën në zgjedhjet e ardhshme lokale, Isa Mustafa ka thënë se kjo çështje do të adresohet nga forumet e LDK-së, në kohën e duhur.

“E rëndësishme është që LDK-ja në Prishtinë ka potencialin elektoral, fuqinë politike, kuadrot e mjaftueshme dhe vizionin e nevojshëm për të zhvilluar Prishtinën dhe për të adresuar e avancuar aspektet që lidhen me jetën e përditshme të qytetarëve”, tha Mustafa.

Exit mobile version