Site icon Telegrafi

Mustafa: Beteja e Koshares shënon fitoren më të madhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka përkujtuar 21 vjetorin e Betejës së Koshares.

Mustafa thekson se Beteja e Koshares, para 21 viteve, shënon fitoren më të madhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shënon fillimin e çlirimit të Kosovës.

“Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill 1999, është një prej datave më të rëndësishme në kalendarin e historisë së luftës të Kosovës. Kjo betejë është ndër betejat më të përgjakshmet dhe më të lavdishmet të UÇK-së, hapi një kapitull të rëndësishëm të fitoreve të UÇK-së dhe fitorja në këtë betejë është një ndër pikat më të shndritshme të luftës tonë për liri”, shprehet Mustafa.

Sipas tij, uniteti dhe vendosmëria e ushtarëve tanë dhe shkathtësitë e larta ushtarake taktike dhe operative kundër një armiku shumë më të madh dhe të armatosur, bën që këta luftëtarë të triumfojnë në këtë betejë.

Ai thekson se Beteja e Koshares ishte kulminacioni i një jete të plotë të ndërtuar mbi sakrificën për liri dhe shënoi përpjekjet për shtet-formimin e Kosovës.

“Poashtu në këtë ditë vlerësojmë lartë dhe përkujtojmë të rënët në këtë betejë dhe anekënd Kosovës. Vepra e Agim Ramadanit, Sali Çekajt, Abaz Thaçit, Xhemajl Fetahut por edhe vepra e të gjithë heronjve dhe dëshmorëve le të shërbejë si udhërrëfyes i rrugës tonë drejt ndërtimit dhe zhvillimit të shtetit të Kosovës dhe anëtarësimit tonë në integrime euroatlantike. Triumfi i këtyre luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati njëqindvjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Në kthesat vendimtare përmes angazhimit të tyre, ata në asnjë moment nuk iu ndanë refuzimit të shtypjes dhe përpjekjeve për liri. Në përkulje të përhershme Heronjve të Koshares. Lavdi!”, thekson kreu i LDK-së. /Telegrafi/

Exit mobile version