Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i ka reaguar ministrit Pal Lekaj me një status në Facebook, pasi ky i fundit ka apostrofuar ish kryeministrin si kundërshtues të rritjes së taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe.
Lekaj ka thënë se qëndrimi i Isa Mustafës rreth vendimit të Qeverisë për taksën 100% ndaj produkteve që vijnë nga Serbia nuk e tregon përcaktimin LDK-së se a është pro apo kundër këtij vendimi.
“Zotëri ish – kryeministër, me kënd je?”, e kishte pyetur Lekaj, Mustafën.
Ndërkaq ish kryeministri si kundër përgjigje ka thënë se pyetjet e Lekajt janë sikur vezët kur i gjuante në parlament.
“Pali, sot Ministër i Infrastrukturës, akoma po i duket vetja se është duke gjuajtur me vezë në sallën e Parlamentit. Kur bëhesh ministër, se ke gjuajtur me vezë, edhe pyetjet që i shtron i ke si vezët. Problemi nuk qëndron se çfarë mendoj unë për vendimin e qeverisë tënde, por çfarë mendon ti për atë vendim” shkruan Mustafa në Facebook./Telegrafi