Ditëve të fundit janë intensifikuar takimet ndërmjet drejtuesve të LDK-së dhe LVV-së në Prizren, për një koalicion paszgjedhor për balotazh në Prizren, ku do të garojnë kandidati i PDK-së, Shaqir Totaj, dhe ai i LVV-së, Mytaher Haskuka, shkruajnë mediat lokale.
Përkundër sinjaleve drejt një marrëveshjeje të mundshme nga drejtuesit e LDK-së dhe LVV-së, një gjë e tillë është bllokuar nga kryesia qendrore e të parës , bëjnë të ditur burime të Televizionit të Prizrenit.
Këto burime thonë se gjatë ditës së djeshme, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka ftuar në një takim kryetarin e degës së partisë së tij në Prizren, Haxhi Avdyli, nga i cili ka kërkuar që LDK në këtë komunë të qëndrojë neutrale në raundin e dytë zgjedhor në Prizren.
Ndryshe, përveç LVV-së, edhe PDK është shprehur e hapur për bashkëpunim me LDK-në në mbështetje të kandidatit të saj për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, duke i bërë ofertë konkrete për ndarje të kulaçit qeverisës.