Telegrafi

Ironizon Abdixhiku: Ju 1 milion shqiptarë që keni ikur në Bllacë, nuk keni të drejtë në këtë shtet!

Letra e fundit publike nga prokurori i dorëhequr Elez Blakaj ka ngjallur debate të forta në skenën politike të Kosovës.

Ndër reagimet e shumta pro e kundër Blakajt, kryeministri  Ramush Haradinaj e kishte akuzuar këtë të fundit që kinse gjatë luftës ka ikur në Bllacë.

E kësaj deklarate të Haradinajt i është përgjigjur me ironi deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.

Abdixhiku në një shënim në Facebook ka ironizuar duke thënë se ata që kanë ikur në Bllacë nuk kanë të drejtë në këtë shtet.

Ai më tej ka vazhduar ironinë dukë thënë se ata që kanë ikur në Bllacë nuk kanë të drejtë as të hetojnë hajnitë, as të kërkojnë drejtësi, as të vënë në pyetje krimet e mashtrimet.

Postimi i plotë:

LOGJIKA E KAPJES:

Ju që keni ikur në Bllacë, fëmijë, pleq, gra e burra – tē gjithë ju 1 milionë shqiptarë të maltretuar e dëbuar – ju nuk keni të drejtë në këtë shtet. Ky shtet është veçse i yni!

Ju nuk keni të drejtë as të hetoni hajnitë, as të kërkoni drejtësi, as të vëni në pyetje krimet e mashtrimet. S’guxoni të bëni një gjë të tillë.

Ju nuk keni të drejtë të shkolloheni e bëheni një ditë prokurorë, as të edukoheni për gjyqtarë; ju keni të drejtë veç të paguani taksa – të cilat ua marrim më vonë. Herë 40 e herë 50 milionë./Telegrafi/