Site icon Telegrafi

Ironia e Isufit: Nuk e mbyta askënd

Trajneri i Hajvalisë, Bekim Isufi, shprehet i zhgënjyer me vendimin e Komisionit Disiplinor. Ky i fundit, pas mbledhjes së ditës së djeshme ka vendosur që të suspendoj Isufin për, siç thuhet ‘vërsulje ndaj asistentit në takimin Hajvalia – Fushë Kosova’. E kjo ‘vërsulje’ sipas Isufit, ka qenë vetëm një fjalë goje.

Në një prononcim për Arena, ai tregon që padrejtësitë që po i bëhen Hajvalisë, kanë bërë që ta humb kontrollin për një moment. “Unë jam i pafajshëm. Nuk mund të dënohem vetëm për një fjalë goje, duke marrë parasysh dëmtimet e mëdha që po i bëhen skuadrës sime. Unë nuk e kam mbytur askënd, ndaj shpresoj që të jem në bankë për të udhëhequr skuadrën time qysh në ndeshjen ndaj Ferizajt në fundjavë”, deklaroi Isufi, duke paralajmëruar një ankesë të klubit.

“Gjatë ditëve të ardhshme do të mbajmë një mbledhje me krerët e klubit, për t’i diskutuar ngjarjet e fundit. Pas asaj, sigurisht që do të ankohemi në Federatën e Futbollit të Kosovës”, shtoi ai. /Telegrafi/ 

Exit mobile version