Site icon Telegrafi

Irlandës i kërkohet mbështetje për anëtarësim në organizata ndërkombëtare

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim ambasadorin e Irlandës në Hungari, jorezident në Kosovë, Pat Kelly.

Kryeministri Haradinaj e njoftoi Ambasadorin për progresin e arritur në Kosovë dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në zhvillimin ekonomik dhe vullnetin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

“Qeveria e Kosovës, me përkrahjen e qytetarëve dhe të partnerëve ndërkombëtarë, është plotësisht e angazhuar në zhvillimin ekonomik të vendit, hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e mirëqenies sociale, proceset integruese evropiane dhe fuqizimin e institucioneve demokratike”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj kërkoi mbështetjen e Irlandës në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në UNESCO, Interpol dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

Nga ana tjetër ambasadori i Irlandës, Pat Kelly, vlerësoi progresin e arritur, duke shprehur mbështetjen e shumanshme të Irlandës për proceset në Kosovë dhe përkushtimin e Qeverisë së Irlandës për bashkëpunim dhe për të ofruar përkrahje në zhvillimin ekonomik dhe proceset integruese evropiane.

Exit mobile version