Site icon Telegrafi

Iris, pajisja që regjistron çdo moment të jetës suaj

Advait Paliwal, një sipërmarrës me origjinë indiane, kohët e fundit ka prezantuar një pajisje me AI të quajtur Iris, e krijuar për t’u ofruar përdoruesve “memorie të pafund”.

Sipas Paliwal, pajisja kap “foto çdo minutë”, të cilat ruhen ose në pajisje ose në cloud, duke i lejuar përdoruesit të ruajnë momentet e jetës.

Në një seri postimesh, Paliwal shpjegoi se Iris jo vetëm që i organizon fotot në një afat kohor, por gjithashtu përdor AI për të gjeneruar tituj dhe për të ndihmuar përdoruesit të kujtojnë detajet e harruara.

Për më tepër, pajisja përmban një “modalitet fokusimi”, i cili zbulon kur përdoruesi është i shpërqendruar, përcjell Telegrafi.

Bëhet e ditur se ai e zhvilloi pajisjen gjatë verës në Augmentation Lab në Cambridge, pjesë e një programi dy-mujor të përshpejtuesit të AI dhe talenteve harduerike.

Pas programit, Paliwal prezantoi Irisin para mbi 250 të pranishmëve në MIT Media Lab, ku ai mori reagime pozitive, me shumë që shprehën interes për të zotëruar pajisjen.

Duke theksuar potencialin e tij, indiani sugjeroi që Iris mund të ofrojë përfitime sigurie dhe shëndetësore, të tilla si ndihma e mjekëve për të kuptuar zakonet e përditshme të pacientëve.

Megjithatë, pasi Paliwal ndau postimin e tij në X, reagimet ishin të ndryshme.

Ndërsa disa përdorues shprehën entuziazëm, të tjerë ngritën shqetësime për privatësinë.

Një person tha: “Është një koncept interesant, por nuk do të doja të ndërveproja me dikë që e përdorë këtë, duke bërë një foto çdo minutë”.

Të tjerët ishin më entuziastë, me një përdorues që vuri në dukje: “Kam kërkuar për një pajisje si kjo për vite me radhë”. /Telegrafi/

Exit mobile version