Policia pretendon se William Singalargh ka kapur një iriq dhe e ka hedhur atë disa metra për ta goditur një 15-vjeçar në qytetin Whakatane të Zelandës më 9 shkurt të këtij viti.
"Ai ka goditur viktimën e tij në këmbë, duke lënë shenja gërvishtjeje dhe shpime", ka thënë rreshteri Bruce Jenkins të hënën. I riu nuk ka pasur nevojë për trajtim mjekësor, ka shtuar ai.
Gazeta ‘The Herald on Sunday’ raportoi se nuk dihej nëse iriqi ishte i gjallë apo i ngordhur gjatë sulmit, por se ka qenë i ngordhur në kohën kur është marrë si dëshmi.
Jenkins ka thënë se 27-vjeçari Singalargh është arrestuar menjëherë pas incidentit nën akuzën për sulm me ‘armë’. Ai pritet të paraqitet në gjykatë më 17 prill.
Avokatja e tij, Rebecca Plunket, ka thënë se Singalargh ka për qëllim të deklarohet i pafajshëm. Dënimi maksimal për këtë lloj akuze është pesë vjet burgim.
Edhe pse përdorimi i iriqit si armë në ndonjë sulm është i pazakontë, Jenkins ka thënë se, "njerëzit shpesh dënohen për hedhjen e gjërave ndaj njerëzve të tjerë".