Irani ka prezantuar para opinionit publik aeroplanin e tyre të parë luftarak, i prodhuar me kapacitete vendore. Presidenti i vendit Hassan Rouhani tha se aeroplani do të parandalonte sulmet e mundshme të SHBA-së ndaj vendit të tij.
Pamjet e shfaqura në televizionin shtetëror, tregojnë presidentin e Iranit, Hassan Rouhani, i hipur në kabinën e pilotimit të avionit të ri, teksa ekspozonte armën e re.
Agjencia iraniane e lajmeve Tansin, e përshkruan avionin e ri, si një prodhim i gjeneratës së katërt me veçori të avancuara, i cili është prodhim 100 për qind vendor.
#Iran unveiled the country’s first state-of-the-art fighter jet dubbed “Kowsar” designed and manufactured by domestic military experts. pic.twitter.com/eznrxW0qbY
— Tasnim News Agency (@Tasnimnews_EN) August 21, 2018
Avioni mban emrin “Kowsar” që sipas besimit islam është emri i një lumi në parajsë.
Rouhani nuk hezitoi të thotë se pasurimi i programit të mbrojtjes iraniane, ka për qëllim pengimin e një pushtimi të mundshëm nga SHBA.
“Armiku duhet ta shohë sa i kushtueshëm do të ishte pushtimi i Iranit”, deklaroi Rouhani, transmeton Telegrafi.
“Pse SHBA-të nuk kryejnë sulme ushtarake ndaj vendit tonë? Për shkak të fuqisë sonë”, u përgjigj më pas vet ai.
Ndërkohë siç shkruajnë mediat e huaja, pamjet e treguara nga media shtetërore iraniane, tregojnë një avion luftarak që ngjason me një F-5F Tiger i prodhuar nga SHBA në vitin 1974.
Irani thotë se avioni i tyre luftarak tashmë është testuar me sukses dhe së shpejti pritet t’i bashkohet flotës ajrore./Telegrafi/