Teherani ka kërcënuar se do t’i përgjigjet vrasjes së një oficeri të lartë të Gardës Revolucionare iraniane në Siri.
Razi Mousavi, këshilltar i lartë ushtarak në Siri, u vra në një sulm të supozuar izraelit pranë Damaskut, transmeton Telegrafi.
Mousavi ishte përgjegjës për koordinimin e aleancës ushtarake midis Iranit dhe Sirisë, dhe besohet të ketë qenë i përfshirë në përpjekjet e Teheranit për të armatosur militantët në zonë, duke përfshirë lëvizjen libaneze Hezbollah.
Regjimi uzurpues dhe barbar sionist do të paguajë për këtë krim”, njoftoi IRGC.
Agjencia e lajmeve IRNA tha se Mousavi u vra në një sulm ajror nga “regjimi sionist” në periferitë jugore të Damaskut.
Agjencia thekson se Mousavi ishte “një nga këshilltarët më me përvojë” të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike në Siri.
Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim thekson se Mousavi ishte i afërt me ish-komandantin e IRGC-së, Qassem Soleimani, i cili u vra në një sulm me dron amerikan në vitin 2020 me mbërritjen e tij në Bagdad.
Garda Revolucionare iraniane, së fundmi njoftoi se dy oficerë të saj u vranë në Siri.
“Muhammed Ali Atai Shurceh dhe Panah Tagizadeh u martirizuan ndërsa ishin në një mision këshillues në Siri”, deklaroi IRGC dhe fajësoi Izraelin për vdekjen e tyre. /Telegrafi/