Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka shpallur pesë ditë zie pas vdekjes së presidentit të vendit, Ebrahim Raisi.
Raisi u vra në një përplasje helikopteri në një zonë malore të Iranit veriperëndimor, së bashku me Ministrin e Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian.
Ajatollah Khamenei tha se ai i shpreh ngushëllimet e tij “popullit të dashur të Iranit”.
Bëhet e ditur se, Raisi, 63 vjeç, ishte cilësuar si pasardhës i mundshëm i liderit suprem.
Tash pas vdekjes së tij, zëvendës-presidenti Mohammad Mokhber është emëruar për të marrë detyrat e përkohshme të presidentit.
Kabineti i Iranit ka emëruar gjithashtu zëvendësministrin e Jashtëm Ali Bagheri Kani si ushtrues detyre të Ministrit të Jashtëm, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Siç ka raportuar gazeta iraniane e lajmeve Tasnim, e cila është e lidhur me Korpusin e Gardës së Revolucionit Islamik të vendit, varrimi i presidentit Raisi do të mbahet të martën në Tabriz.
Një numër vendesh kanë shprehur ngushëllimet e tyre pas vdekjes së Raisit.
Madje, kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, shpalli edhe një ditë zie kombëtare dhe i përshkroi Raisin dhe Amir-Abdollahian si “miq të mirë”.
Duke shkruar në rrjete sociale, edhe kryeministri i Indisë Narendra Modi tha se ishte “thellësisht i pikëlluar dhe i tronditur” nga vdekjet.
Ndërkohë, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se qeveria e tij ishte “në kontakt dhe bashkërendim të plotë me autoritetet iraniane” dhe ishte gati të “siguronte çdo mbështetje të nevojshme”.
Ai njoftoi se edhe Turqia do të mbajë një ditë zie kombëtare.
Të pikëlluar u shprehën edhe Hamasi, Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe presidenti kinez, Xi Jinping, i cili tha se Raisi ka kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin e Iranit.
Edhe BE-ja shprehu ngushëllimet e saj të sinqerta për familjet e të vdekurve.
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti i ndjerë ishte përgjegjës për “rrjetet terroriste në të gjithë rajonin” dhe se ai kishte “shumë gjak në duart e tij”. /Telegrafi/