Irani refuzoi një takim me Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera botërore të përfshira në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 para se të hiqen sanksionet.
“Shtetet e Bashkuara duhet së pari të kthehen në marrëveshjen bërthamore dhe të heqin sanksionet e saj të paligjshme ndaj Iranit… nuk ka nevojë për negociata për këtë”, ka thënë të dielën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Saeed Khatibzadeh, përcjell Telegrafi.
“Irani do të njohë vetëm veprat dhe do të përgjigjet me vepra”, citohet të ketë thënë më tej Khatibzadeh.
“Ne do t’i kthehemi zotimeve tona sapo sanksionet të hiqen”, tha ai, sipas agjencisë së lajmeve Isna.
Teherani, megjithatë, do të vazhdojë të bashkëpunojë me të dërguarin e punëve të jashtme të BE Josep Borrell, tre vendet evropiane, të njohura si E3, dhe Kinën dhe Rusinë, tha ai.
Dhe administrata e presidentit të ri të SHBA-së, Joe Biden tha të dielën se ishte “zhgënjyer” me reagimin e Teheranit.
“Ndërsa ne jemi të zhgënjyer me përgjigjen e Iranit, ne mbetemi të gatshëm të angazhohemi në një diplomaci kuptimplote për të arritur një kthim të ndërsjellë të pajtueshmërisë me angazhimet e JCPOA [marrëveshjes bërthamore të Iranit]”, tha një zyrtar i lartë i administratës për dpa.
Ndryshe, mosmarrëveshja bërthamore është intensifikuar kohët e fundit, pasi Teherani i bëri thirrje Uashingtonit të heqë sanksionet e vendosura nga ish presidenti Donald Trump të cilat e kanë zhytur Iranin në krizën më të rëndë në historinë e tij. /Telegrafi/