Telegrafi

Irani pretendon se shefi i CIA-s që “orkestroi vrasjen e Soleimanit” u vra në rrëzimin e aeroplanit nga talibanët

Agjencia iraniane e lajmeve ka pretenduar se një shef i CIA i cili ndihmoi në planifikimin e vrasjes së gjeneralit Qassem Soleimani u vra në një aksident të një aeroplani të hënën në Afganistan.

Gjithsesi, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, një raportim i tillë është shumë i dyshimtë, pasi që Pentagoni mohoi që aeroplani E-11A të ishte qëlluar nga talibanët, por deklaroi se ishte rrëzuar në rrethinën Dih Yak.

SHBA nuk dha detaje për viktimat por mediat iraniane dhe faqet e lajmeve të lidhura me Kremlinin kanë pretenduar se mes të vdekurve ishte Michael D’Andrea, një shef i CIA-s.

Lexo po ashtu Talibanët pretendojnë se ata rrëzuan një aeroplan amerikan

Ndërkohë, Agjencia iraniane e propagandës, Mehr News, raportoi sot se “D’Andrea, i cili luajti një rol kryesor në shumë sulme, përfshirë vrasjen e komandantit Qasem Soleimani”, u vra.

Ajo citoi uebfaqen pro-Kremlin “Veterans Today”, e cila citonte burime të inteligjencës ruse që pretendojnë se D’Andrea ishte vrarë.

Madje pretendohej se aeroplani nuk ishte një aeroplan standard i komunikimit në SHBA, por qendra e komandës mobile e D’Andrea.

Përkundër këtyre pretendimeve, zyrtarët amerikanë, duke folur në kushte të anonimitetit, thanë se nuk kishte indikacione se aeroplani ishte rrëzuar nga ndonjë sulm i armikut, shkruan DailyMail.

Njëri nga zyrtarët tha që besohej se kishte më pak se 10 njerëz në aeroplanin e vogël ushtarak.

Këto deklarata vijnë pasi pamjet u postuan në internet nga një gazetar i lidhur me talebanët, duke treguar copëzat e një aeroplani me një simbol të Forcave Ajrore të SHBA-së. /Telegrafi/