Telegrafi

Irani po bllokon monitorimin e plotë të programit të tij bërthamor, thotë Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike

Irani po bllokon monitorimin e plotë të programit të tij bërthamor, tha të dielën Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA).

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Irani po u mohon inspektorëve nga mbikëqyrësi bërthamor qasjen në një punëtori ku prodhohen pjesë për centrifuga që përdoren për të pasuruar uraniumin, tha një zëdhënës i IAEA-s.

Shefi i IAEA-së, Rafael Grossi, arriti një marrëveshje me Iranin më 12 shtator që do të lejonte IAEA-në të rifillojë mirëmbajtjen e pajisjeve të saj të monitorimit dhe të zëvendësojë “pajisjet ruajtëse të të dhënave” për të siguruar kontrollin e pandërprerë të agjencisë mbi programin bërthamor të diskutueshëm.

Marrëveshja është zbatuar kudo, përveç në punëtorinë e centrifugës në Karaj, në perëndim të Teheranit, tha IAEA.

Siç vë në pah dpa, kishte një incident në lokacionin Karaj në qershor i cili dëmtoi kamerat e IAEA-s. Media iraniane në atë kohë e quajti atë një akt sabotimi të dështuar.

Zgjerimi i objekteve të pasurimit të Iranit me centrifuga gjithnjë e më të fuqishme është një shqetësim për IAEA dhe bashkësinë ndërkombëtare.

Uraniumi i përpunuar ka një shkallë aq të lartë pastërtie saqë mund të përpunohet më tej në një material armësh relativisht shpejt.

Irani ndaloi respektimin e kushteve të dakorduara të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 në vitin 2019 pasi SHBA u tërhoq.

Marrëveshja kishte për qëllim ta bënte më të vështirë për Teheranin të krijojë armë bërthamore.

Negociatat në Vjenë për të “ringjallur” marrëveshjen bërthamore të Iranit filluan në prill, por më pas u pezulluan pas ndryshimit të qeverisë në Iran në qershor. /Telegrafi/