Site icon Telegrafi

Irani paralajmëron: Shqipëria është në prag lufte!

Agjencia shtetërore Iraniane e Lajmeve, “ParsToday” ka paralajmëruar Shqipërinë se ndodhet në prag lufte, për shkak të pranimit të grupit të muxhahedinëve, të shpallur armiq nga Teherani. Agjencia e krahason pranimin e muxhahedinëve nga Shqipëria, të njëjtë me “vendosjen e izraelitëve në Palestinë në shekullin e kaluar”.

Në shkrimin e publikuar në “ParsToday” hidhen dyshime për pazaret që mund të jenë bërë mes qeverisë shqiptare dhe SHBA-së, për pranimin e muxhahedinëve në Shqipëri.

Shkrimi në agjencinë iraniane

Ashtu si izraelitët u vendosën shekullin e kaluar në Palestinë ngjan edhe ngulja e 3000 muxhahidinëve në Shqipëri. Nuk është problemi i një grupimi njerëzish, etnie, rrace, feje. Absolutisht jo. Çështja është se muxhahedinët janë armiq të shtetit të Iranit. Jo armiq e llafe, por luftëtarë aktivë, të shpallur armiq nga Teherani.

Me ardhjen e tyre në Tiranë fronti i luftës Iran – Europë është në mes të atdheut tonë të dashur. Ai komunitet së shpejti pritet të hapë mediat e veta e të intensifikojë aktivitetin brenda kufijve dhe të mbrojtur nga shteti ynë.

A i duhej ky rrisk Shqipërisë? Natyrisht çdo njeri e ka një çmim. Pa folur për qeveritë e vendet. Për këtë pazar erdhi pak muaj më parë në Tiranë Sekretari Amerikan i Shtetit Keri. Sa është pazari për të pranuar në mes të Shqipërisë armiqtë e shpallur të ish perandorisë Persiane? Sikur të jetë diçka me interes kombëtar, të tipit …bashkim me Kosovën….mbase ia vlen. Për të tjerat….le që ç’dërdëllis unë “të tjerat”? Kush ka parë gjë këto muaj, përveç muxhahedinëve të lumtur që u dyndën për t’u pajisur masivisht me androidët më të fundit dhe elektroshtëpiake të paguara nga “bamirësit”? I dështuar dhe poshtëruar në rastin e armëve kimike Rama nuk la t’i shpëtonte një rast i dytë. Opinioni nuk e kuptoi në kohë dhe shumë pak e dinë se ç’do të thotë të kesh futur luftën në oxhak.

“Ta kem mirë me Amerikën”, ëndrra dhe makthi i çdo politikani shqiptar i erdhi në shteg Edit tonë dhe ky nuk e la t’i ikte. A është pjesë e këtij pazari që në kulm të fushatës së korrje –shirjeve të hashashit Ambasadori Lu vlerëson rezultatet impresionuese të qeverisë së Ramës në ….luftën kundër drogës? Është pjesë e këtij pazari impotenca politike e Bashës, presioni ndaj Metës dhe prepotenca e Ramës? Po një mandat i dytë i rilindjes? Nëse ky është pazari, do të thotë , jo e kemi blerë lirë, por e kemi marrë te Gabi luftën. Amerika është duke u afruar me Iranin siç ky ka bërë tashmë edhe me BE -në. Po ne, atdheu i muxhahidinëve? Po muxhahidinët që luftën e nisur dekada më parë do ta vazhdojnë në “tokën e premtuar”, Palestinën e gjetur në zemër të Ballkanit?E fundit: Po mediat? Në fakt kjo puna e muxhahidinëve sa u mërmërit dhe u mbyll. Nuk ia kanë idenë as mediat? JO! Nuk është e vërtetë. Me pak të pyetur, me pak Google a Wikipedia e mëson se ç’janë muxhahidinët dhe rreziku i tyre. Por, si për çdo gjë tjetër në raport me rilindjen, edhe për këtë janë blerë. Duket se po aq lirë sa vet Rama në rastin e muxhahidinëve.

Exit mobile version