Të gjitha konsullatat iraniane në Gjermani do të mbyllen pasi Teherani ekzekutoi një shtetas gjermano-iranian, njoftoi sot Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.
Jamshid Sharmahd, aktivist i opozitës, u dënua me vdekje nga regjimi i Teheranit në vitin 2020 me akuza për terrorizëm. Ai u ekzekutua të hënën.
“Ne ia kemi bërë të qartë Iranit në disa raste se ekzekutimi i një shtetasi gjerman do të ketë pasoja të rënda. Prandaj, kam vendosur të mbyll tre konsullatat iraniane në Frankfurt am Main, Mynih dhe Hamburg”, tha Baerbock, shkruan reuters.
Një zyrtar i paidentifikuar i Ministrisë së Jashtme në Berlin tha se mbyllja e konsullatës do të prekë 32 anëtarë të stafit. Ai shtoi se hera e fundit që Gjermania mori masa të tilla “drastike por të përshtatshme” ishte pas pushtimit rus të Ukrainës.
Megjithatë, ambasada iraniane në Berlin do të mbetet e hapur, si dhe ambasada gjermane në Teheran. Sipas një zyrtari të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Berlini nuk dëshiron t’i ndërpresë plotësisht marrëdhëniet diplomatike.
Baerbock theksoi më parë se marrëdhëniet diplomatike të Gjermanisë me Iranin janë në një nivel historikisht të ulët dhe ajo u bëri thirrje anëtarëve të Bashkimit Evropian të bëjnë më shumë.
Irani ka arrestuar gjithnjë e më shumë disidentë jashtë vendit pas rënies së marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me fuqitë botërore, përfshirë Gjermaninë. /Telegrafi/