Site icon Telegrafi

Irani anulon fluturimet me aeroplan për disa orë

Zëdhënësi i Organizatës së Aviacionit Civil të Iranit ka njoftuar se disa fluturime me aeroplan në të gjithë vendin do të pezullohen për rreth nëntë orë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për një pezullim nga ora 21:00 deri në orën 6:00 me orën lokale.

Jafar Yazarlo njoftoi të dielën në mbrëmje se pezullimet e fluturimeve do të ndodhin për shkak të, siç është thënë “kufizimeve operacionale”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ai këshilloi pasagjerët që të kontrollojnë oraret e fluturimeve me linjat ajrore përkatëse dhe të konfirmojnë planet e tyre të udhëtimit përpara se të nisen për në aeroport.

Ai i siguroi pasagjerët se nuk duhet të shqetësohen për koston e biletave të tyre dhe se nëse është e nevojshme, të gjitha shpenzimet e biletave do të paguhen.

Ky njoftim vjen pas një sulmi raketor nga Irani ndaj Izraelit në fillim të javës, i cili çoi në një anulim të mëparshëm fluturimi deri të enjten në mëngjes, duke përmendur shqetësimet e sigurisë në rajonin e Azisë Perëndimore.

Të martën, Irani lëshoi rreth 180 raketa në Izrael, duke pretenduar se veprimi ishte në hakmarrje për vrasjen e figurave kryesore, duke përfshirë liderin e Hamasit, Ismail Haniyeh dhe udhëheqësin e Hezbollahut, Sayyed Hassan Nasrallah.

Si kundërpërgjigje, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi se Teherani kishte bërë një “gabim të madh” dhe “do të paguante për të”. /Telegrafi/

Exit mobile version