Site icon Telegrafi

IPSOS: Mediat në Serbi kanë tendencë të jenë më kundërshtuese karshi Kosovës përmes raportimeve

Një studim i publikuar nga organizata jo-qeveritare Peaceful Change Initiative – PCi dhe Peer Educators Network (PEN), nxjerr përfundimin se “mediat në Serbi dhe në Kosovë i kontribuojnë fuqizimit të tëhuajsimit në mes të këtyre dy entitete”.

Studimi është realizuar nga organizata hulumtuese IPSOS.

“Kjo është gjetja kryesore e një studimi të publikuar në qershor të vitit 2020, i publikuar nga organizata jo-qeveritare Peaceful Change initiative – PCi, në kuadër të projektit ALVED, studim i cili është realizuar nga organizata hulumtuese IPSOS, sipas praktikave të tyre më të mira në fushën e hulumtimeve.

Studimi hedh në pah tregimet përçarëse që ekzistojnë në mediat serbe dhe ato kosovare. Të dhënat nga analiza e përmbajtjes së mediave, tregojnë se intensiteti i fenomenit të tëhuajsimit është i bazuar në thellimin e polarizimit në mes të dy entiteteve dhe është i karakterizuar me nuanca emocionale. Ky studim ka gjetur se mediat në Serbi dhe në Kosovë, i kontribuojnë polarizimit në mes dy entiteteve duke i theksuar ndasitë dhe duke i anashkaluar ngjashmëritë”, bëhet e ditur në njoftim.

Ndër të tjerash, të gjeturat nga ky studim tregojnë se mediat në Serbi, kanë tendencë të jenë më kundërshtuese karshi Kosovës përmes raportimeve, lajmeve të rreme, dezinformatave dhe gazetarinë me nuanca të forta emocionale në mënyrë joprofesionale. Ndërsa në Kosovë, sipas të gjeturave të këtij studimi, mediat përfshihen në narracione tendencioze që interpretojnë raportin me Serbinë.

“Publiku serb ndanë mendimin se mediat janë përgjegjëse për nuancën negative të opinionit publik karshi raportit Serbi-Kosovë. Në anën tjetër, sipas studimit, publiku kosovar ndanë qëndrimin se përgjegjës për nuancën negative të opinionit publik karshi raportit në mes dy vendeve, është klasa politike, i cili gjeneron gjuhë të urrejtjes, stereotipe dhe paragjykime.
Bazuar në të dhënat e këtij studimi, perceptimi i përgjithshëm në publik është që mediat pashmangshmërisht kanë rol në opinionin publik në të dyja vendet, në Serbi dhe Kosovë. Megjithatë ato nuk kanë rol vendimtar në paqësimin e raporteve në mes dy vendeve, meqë veprimi politik është i nevojshëm”.

Projekti ALVED  synon të promovojë, eksplorojë, zhvillojë dhe implementojë praktika inovative për ta fuqizuar vendimmarrjen pjesëmarrëse (participative decision making) e cila kontribuon në tejkalimin e suksesshëm të barrierave në mes grupeve të ndryshme në Serbi dhe në Kosovë dhe kontribuon në zhvillimin e një ambienti më të favorshëm që të lulëzojë demokracia gjithëpërfshirëse dhe të ketë ndikim pozitiv në jetërat e njerëzve të zakonshëm.

Exit mobile version