Tre komuna të tjera, kanë pranuar pajisje medicinale nga IPKO Telecommunications L.L.C. Komuna e Rahovecit, Junikut dhe Ranillugut, janë në mesin e 15 komunave që kanë përfituar nga iniciativa e IPKO-së “Ne qëndrojmë me fëmijët”. Kjo është faza e dytë e përkrahjes së sektorit të shëndetësisë – njësitë pediatrike.
Në fazën e parë, IPKO ka shpërndarë një donacion prej 100 mijë eurosh, në 10 komuna të ndryshme, ku vlerësohet se përfitues janë rreth 200 mijë fëmijë. Përderisa, në fazën e dytë, po shpërndahen edhe 50 mijë euro në sektorin e shëndetësisë, për 10 komuna të tjera.
Ky donacion është i dizajnuar të ndihmojë Qendrat e Mjekësisë Familjare me mjetet dhe pajisjet medicinale, të domosdoshme për njësitë pediatrike të këtyre qendrave. Faza e dytë e projektit “Ne qëndrojmë me fëmijët”, ka filluar në komunën e Suharekës dhe Istogut, për të vazhduar më pas me Rahovecin, Junikun dhe Ranillugun.
Ndërsa deri në fund të vitit, edhe pesë komuna të tjera do të përfitojnë nga kjo nismë. Përderisa në fazën e parë, janë mbështetur Spitali Rajonal i Prizrenit dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare në Ferizaj, Obiliq, Skenderaj, Drenas, Gjakovë, Pejë, Gjilan, Graçanicë dhe Klinë.
Pavarësisht që IPKO diskriminohet nga interpretimi i gabuar i nenit 9.4 të Ligjit të Prokurimit Publik të Republikës së Kosovës, duke ja pamundësuar kompanisë konkurrimin e barabartë për ofrimin e shërbimeve në institucionet publike, IPKO vazhdon të përkrahë institucionet Kosovare dhe kontribuon drejtpërdrejtë në përmirësimin e kushteve të punës në sektorin publik. IPKO është e përkushtuar në krijimin e një Kosove sa më të mirë për fëmijët dhe gjithmonë do të kontribuojë në përmirësimin e kushteve të jetës së tyre. /Telegrafi/