Nga fondi prej 50 mijë eurosh kushtuar shkollave publike në fshatra, IPKO tani ka përmbyllur donacionet në 10 shkollat e komunave me nevoja më të mëdha për investime në shkolla
Fëmijët e shkollave të fshatit Baran dhe Jabllanicë të Komunës së Pejës i janë bashkangjitur mijëra fëmijëve të rreth 40 shkollave të tjera publike nëpër gjithë komunat e vendit, në të cilat kompania IPKO ka bërë donacione të ndryshme në vlerë prej 40 mijë eurosh gjatë gjithë vitit 2015 dhe 2016.
Rregullim të klasave, banjove, oborreve të shkollës, mbjellje të fidanëve, pajisjeve për kabinetet e muzikës, klasat e edukatës fizike dhe shumëçka tjetër kanë marrë 30 shkolla publike në shumicën e komunave të Kosovës.
Ndërsa këtë javë, IPKO ka shtuar edhe numrin e shkollave të cilat kanë marrë edhe nga 1 mijë euro donacion për nevojat e shkollave, sipas përzgjedhjes së bërë nga drejtoritë komunale të arsimit në Ferizaj, Mitrovicë, Pejë dhe Istog.
Të premten, IPKO ka bërë donacionet në shkollat fillore në fshatrat Jabllanicë dhe Baran të Komunës së Pejës, pas përfundimit të projekteve në fshatrat Gaçkë dhe Zllatar të komunës së Ferizaj, si dhe plotësimit të çerdhes së qytetit në Mitrovicë me lodra, karrika dhe rafte si dhe blerjes së bankave dhe karrikave të reja për shkollën fillore në fshatrat Braboqan dhe Vllahi të komunës së Mitrovicës.
Në secilin rast ku IPKO ka ndihmuar shkollat fillore publike, mbështetje të plotë për jetësimin e këtyre projekteve kanë bërë edhe drejtoritë komunale të arsimit në këto qytete, stafi i shkollës dhe këshillat e prindërve, për çka edhe janë falenderuar drejtuesit lokal të këtyre institucioneve.
Në projektin e kompanisë IPKO të quajtur “Mësuesit zgjedhin, IPKO mbështet” deri tani në nivel vendi janë mbështetur 40 shkolla edhe ente arsimore sipas nevojave që vetë kanë shprehur, ndërsa vlera e e përgjithshme e donacionit të bërë nga IPKO për 50 shkolla dhe çerdhe publike do të jetë 50 mijë euro, ose nga 1 mijë euro për çdo institucion të arsimit. /Telegrafi/