Telegrafi

IPKO regjistron 60 mijë konsumatorët e parë

Alban Kastrati, Drejtues i Marrëdhënieve me Publikun në IPKO tha se njëzet ditë pas fillimit të zbatimit të rregullores së ART-së për regjistrimin e të gjithë konsumatorëve të telefonisë mobile, IPKO ka arritur të regjistrojë 60 mijë konsumatorë të cilët kanë qenë të parët që i janë përgjigjur thirrjes së operatorit të tyre mobil për regjistrimin e tyre si përdorues të numrit mobil.

“Edhe pas kësaj përgjigje masive nga përdoruesit, ne apelojmë tek konsumatorët tanë ekzistues dhe ata potencial që ta regjistrojnë numrin e tyre mobil IPKO, para datës 28 shkurt 2011. Ne duhet të regjistrojmë edhe qindra-mijëra përdorues të tjerë të mbetur, prandaj konsumatorët tanë nuk duhet ta humbin asnjë rast për regjistrimin e numrit të tyre mobil”, tha Kastrati.

Me 1 dhjetor të vitit të kaluar ka hyrë në fuqi Rregullorja për Regjistrimin e Përdoruesve të Telefonisë Mobile e miratuar nga Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit (ART), sipas së cilës rregullore, të gjithë ofruesit e shërbimeve telekomunikuese mobile obligohen që të bëjnë regjistrimin e përdoruesve me parapagim para aktivizimit të shërbimit. /Telegrafi/