Të shtunën, kompania IPKO ka vënë në pah një vlerë tjetër të korporatës – atë të përgjegjësisë – duke organizuar aksion pastrimi në një lagje të Komunës së Pejës
Në aksionin e së shtunës të organizuar nga kompania IPKO, kanë marrë pjesë punëtorët e IPKO-së, të cilët e kanë rezervuar njërën nga ditët e tyre të pushimit për të kontribuuar në pastrimin e një lagje të Pejës, e cila tash e sa kohë i ka dhënë pamje të këqija të qytetit.
Përmes këtij aksioni, IPKO ka dhënë shembullin e një korporate e cila krahas pjesës së biznesit është e përgjegjshme dhe kujdeset për ambientin dhe rrethinën në të cilën operon.
Në aksion gjithashtu ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, bashkë me kabinetin e tij dhe udhëheqësit e komunës për urbanizmin dhe ambientin.
Në anën tjetër zëdhënësi i IPKO-së, Alban Kastrati ka thënë se kompania do të vazhdojë me nisma për promovimin e vlerave në të cilat mbështetet IPKO si kompani.
“Përgjegjësia është njëra prej vlerave kyçe të kompanisë IPKO, dhe ne jemi sot këtu për ta promovuar këtë vlerë dhe punëtorët e kompanisë të cilët në mënyrë vullnetare kanë marrë pjesë në pastrimin e ambientit në qytetin e Pejës. Ne duam të jemi model i një qytetari korporativ i cili kujdeset për ambientin dhe rrethinën në të cilën operon. Ky aktivitet nuk do të ishte i mundur edhe pa vullnetin dhe interesin e Komunës së Pejës, e cila është shprehur shumë e gatshme për të na mbështetur në krijimin e hapësirave të pastra dhe të gjelbërta në qytet. Në javët dhe muajt në vijim, ne do të vazhdojmë t’i promovojmë vlerat në të cilat ne besojmë dhe mbështetemi si kompani”, ka thënë Kastrati. /Telegrafi/