Në ngjarjen më të madhe të marketingut në Slloveni, Kosova është përfaqësuar nga IPKO, e cila ka prezantuar rrëfimin e saj mbresëlënës të suksesit në biznes para korporatave të mëdha globale dhe atyre evropiane
Edhe këtë vit, me qindra përfaqësues të korporatave të mëdha globale dhe atyre evropiane janë bërë bashkë në Portorozh, për të marrë pjesë në Konferencën Sllovene të Marketingut, një ngjarje me reputacion e cila i ka bërë bashkë korporatat e mëdha sikurse HP, GlaxoSmithKline, IBM, Leo Burnett Group UK, Pristop, OTI Petrol Slovenija, Triglav, Sensilab, Mercedes-Benz, Mercator, dhe Studio Moderna mes shumë kompanive tjera pjesëmarrëse të cilat kanë folur për orkestrimin e suksesit në biznes, inovacionin, dhe fenomenet e reja në marketing që po ndryshojnë tregjet dhe industritë në gjithë botën.
Në mesin e shumë drejtuesve ekzekutiv të korporatave të mëdha, si folës për rrëfimin e suksesshëm të biznesit kanë qenë edhe dy nga drejtuesit e kompanisë IPKO, përkatësisht drejtori ekzekutiv i kompanisë IPKO, Robert Erzin, dhe drejtoresha e marketingut, Darija Brkic.
Erzin dhe Brkic kanë folur për strategjitë e marketingut dhe suksesin që IPKO ka arritur në çdo segment të biznesit të saj në periudhën pesë-vjeçare, përkundër shumë faktorëve të jashtëm që kanë ndikuar në ngadalësimin e biznesit të IPKO-së.
Historia e suksesit të IPKO-së është miratuar dhe pëlqyer nga shumë liderë të njohur të biznesit në këtë ngjarje. IPKO ka shërbyer si shembull edhe për korporatat e mëdha globale, të cilat janë duke e rritur interesimin e tyre për Kosovën dhe mjedisin e e të bërit biznes.
Konferenca Sllovene e Marketingut është ngjarja më e madhe e marketingut në Slloveni, e cila mbulon të gjitha fushat e marketingut. Ngjarja tradicionalisht tërheq emrat më të respektuar të industrisë së marketingut, duke përfshirë edhe akademikët, drejtuesit ekzekutiv të korporatave, agjencitë e mëdha të marketingut, hulumtuesit e tregut dhe drejtues të shitjes dhe bizneseve të ndryshme evropiane. Vitin e kaluar ngjarja jonë dy-ditore tërhoqi rreth 600 pjesëmarrës. /Telegrafi/