Telegrafi

IPKO përkrah projektin për stacionet agrare të fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinës

Kompania IPKO në kuadër të projektit “IPKO – Parashikimi Agrologjik”, ka nënshkruar Marrëveshje bashkëpunimi me Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë përmes së cilës është mundësuar instalimi i 16 stacioneve agrare, të cilat do të jenë në funksion të fermerëve të Kosovës, ndërsa një stacion i tillë është instaluar në hapësirat e këtij fakulteti që do të jetë në shfrytëzim të studentëve dhe profesorëve për qëllime studimi.

Stacioni në mënyrë të detajuar do të mas parametrat agrarë si pika e vesës, dendësia e reshjeve, lagështia e fletëve, temperatura e ajrit e të tjera.

Drejtori ekzekutiv i IPKO-së, Robert Erzin, tha se duke pas parasysh zhvillimet e fundit teknologjike, IPKO po fuqizon bizneset në Kosovë.

“Ne si IPKO kemi kënaqësinë të jemi kompani inovative lidere në Kosovë. Ne mund të bashkëpunojmë me Universitetin e Prishtinës, ku dihet se në të ardhmen mund të përdorim këto njohuri. Ne do ta përkrahim Kosovën për një të ardhme më të mirë dhe çfarë është më rëndësi, proceset teknologjike po i ndryshojnë proceset biznisore dhe kjo është një arsye se pse IPKO po ndihmon në fusha të ndryshme në fuqizimin e bizneseve”, tha Erzin.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, tha se ky projekt do të ndihmojë shumë në hulumtimet praktike të studenteve dhe profesorëve të këtij fakulteti.

“Universiteti i Prishtinës, përkatësisht Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinës me anë të këtij projekti do të bëjë përcjelljen e aktiviteteve agrare, një stacion që na ka munguar shumë, i cili do të ndihmoj shumë në ofrimin e të dhënave për studentët dhe profesorët e fakultetit, në mënyrë që të vazhdojmë me hulumtimet praktike”, tha Dema. /Telegrafi/