“Jam i lumtur që mund ta shpalos një marrëveshje aq të dobishme për FBK-në e që është marrëveshja më e madhe deri më tash. Është kjo marrëveshje sipas të cilës nga sot IPKO është partner për komunikim me FBK-në. Për herë të parë në basketbollin e Superligës do të mbahen statistikat për të gjitha ndeshjet, gjë që nuk ka ndodhur më parë, pastaj do të ketë komunikim më të lehtë, do të ketë pajisje mjete më të reja, madje edhe palestrat do të pajisen me internet”, tha kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Erolld Belegu, duke bërë me dije se në tre vitet e ardhshme Kupa e Kosovës do të quhet “IPKO Kupa e Kosovës”.
Në pyetjen se cili është hapi i mëtutjeshëm i drejtuesve të basketbollit tonë, Belegu tha se “surprizat në basketbollin kosovar nuk kanë të ndalur, pasi së shpejti do të arrihet edhe një marrëveshje tejet ambicioze”, por të cilën ai nuk e zbuloi. Nga kjo marrëveshje është e qartë se përveç FBK-së, do të përfitojnë shumë edhe klubet e basketbollit, sidomos ato që i kushtojnë më shumë rëndësi grupmoshave të reja, madje edhe gazetarëve do t’u lehtësohet puna e tyre në palestra. Sipas Belegut, “në të ardhmen duhet të mendojmë më shumë për basketbollistë vendorë në mënyrë që ata të jenë më cilësor dhe të mos blejmë basketbollistë të shtrenjtë nga jashtë”.
I lumtur ndihej edhe drejtori i IPKO-s, Robert Erzin. “Ndihem i lumtur për këtë marrëveshje veçmas tani kur basketbolli është ndër sportet më të popullarizuara e më të suksesshme në Kosovë. Besojmë se zhvillimi i sportit është tejet i rëndësishëm për këtë shoqëri, pasi sporti është promovim për individë, klube dhe njerëz në Kosovë. Ne edhe deri tash vazhdimisht kemi mbështetur klube dhe disiplina të ndryshme sportive. Do ta mbështesim dhe mbulojmë basketbollin me të gjitha shërbimet tona dhe do ta ndihmojmë FBK-në që të zbulojë talente të reja”. Ai ndihet mirë që basketbolli i Kosovës sivjet do të prezantohet me dy skuadra në Ligën Ballkanike, duke thënë se “kjo do ta ndihmojë basketbollin”. /Zëri/Telegrafi/