Site icon Telegrafi

IPKO- Parashikimi Agrologjik me të dhëna interesante rreth pemëtarisë

IPKO – Stacionet Agrare kanë regjistruar të dhëna interesante rreth kushteve agrologjike si dhe mundësinë e paraqitjes së sëmundjeve në pemishte për ditët në vijim. Meqenëse javët e kaluara u karakterizuan me mot me shi, janë krijuar kushte jo të përshtatshme agrologjike për kryerjen e spërkatjeve, kundër sëmundjeve dhe dëmtuesve në pemë.

Shiu bën shpëlarjen e preparateve kimike, ndërsa era shkakton bartjen e preparatit, duke ndikuar në largimin e tij pa arritur tek pema. Kështu fermerët nuk mund të përfundojnë spërkatjen uniformë të masës drunore tek pemët e larta, por edhe tek pemët e ulëta si Mjedra dhe Boronica.

Gjatë ditëve në vijim kushtet agrologjike do të përmirësohen dukshëm, temperaturat do të ngritën, por edhe aktiviteti i insekteve dëmtuese dhe sëmundjeve në pemë do të jetë më i lartë.

Për fundin e kësaj javë dhe javës tjetër, kushtet janë si vijojnë:

Në komunën e Pejës, Podujevës dhe Gjilanit, temperaturat e tokës do të jenë më të larta se 13˚C. Moti do te karakterizohet me vranësira të kohëpaskohshme, ndërsa mundësia për shfaqjen e infeksionit të ndryshkut dhe shumimit te Afideve (morrave) është shumë e lartë.

Në anën tjetër, prezenca e lagështisë, në gjethe si dhe diellosja e mjaftueshme, krijojnë kombinime ideale për shfaqjen e sëmundjeve virusale në pemë. Nga data 24 deri me 29 Maj, shanset për rritjen e infeksionit të ndryshkut tek mjedra do të jenë tejet të larta. Infeksioni i ndryshkut do të jetë aktiv gjatë këtyre ditëve, më së shumti në orët e hershme të mëngjesit, atëherë kur lagështia e gjetheve është e pranishme, prej orës 04:00 deri në 06:00 të mëngjesit.

Ndërsa aktiviteti i Afideve (morrave të gjelbër) tek kultura e mollës, do të jetë tejet intensiv, duke pasur parasysh që ky lloj insekti jep shumë gjenerata gjatë vegjetacionit. Temperatura ideale gjatë mbrëmjes për lëshimin e vezëve nga Afidet është nga 14 deri 16C. Menaxhimi me kohë dhe luftimi i tyre, do të mundësonte një prodhimtari më të sigurt të frutave.

Përveç luftimit të sëmundjeve dhe insekteve dëmtues, fermerët gjatë këtyre ditëve do të mund të bënin edhe rrallimin e frutave nëpër pemë.

Ndërsa rekomandimet rreth preparateve kimike duhet ti marrin nga ekspertët e mbrojtjes së bimëve. /Telegrafi/

Exit mobile version