Telegrafi

IPKO me modelet më të reja të telefonave të mençur?

Pritjes së gjatë për modelet e fundit të telefonave mobil me sa duket po i vjen fundi, pasi që lajmi vjen nga burime të besueshme brenda kompanisë IPKO.

Sipas këtij burimi thuhet se IPKO do të ketë modele të telefonave të mençur nga prodhuesit më të famshëm në botë, si Nokia, HTC apo Samsung, ndërsa telefonat do të jenë të serive të fundit dhe do të përfshijnë karakteristika të avancuara si ekranin e ndjeshëm në prekje, sistemin operativ Android, Symbian, Bada dhe opsione tjera që vijnë në këto pajisje.

Burime të PC World Albanian madje thonë se në mesin e modeleve të reja që IPKO do t’i ofrojë, do të jetë edhe telefoni më i ri i Samsung, përkatësisht telefoni i mençur Samsung Galaxy SII, i cili në vlerësimet e analistëve të teknologjisë në botë merr 9.9 nga 10 pikë, që mund t’i jepen një pajisje teknologjike.

Ndërkohë, lexuesit e Telegrafi.com së fundmi kanë pasur rastin të lexojnë lajmin për Samsung Galaxy SII, për të cilin Samsung ka thënë se do ta shpërndajë në 120 vende të botës dhe në më shumë se 140 operator të telefonisë mobile.

Kjo na jep edhe një arsye më shumë për të besuar se IPKO do të jetë në mesin e operatorëve mobil botëror, të cilët e kanë privilegjin ta shesin një telefon kaq të avancuar sa është Samsung Galaxy SII.

Për më shumë, mësohet se telefonat e rinj që do të ofrohen për konsumatorët kosovar do të përmbajnë edhe minuta dhe internet në mobil, si dhe mundësi të tjera të cilat vijnë në planet tarifore të dizajnuara nga operatori, ndërsa ende nuk dihen detaje për çmimin dhe formën e shitjes së këtyre telefonave.

Edhe pse lajmi ende nuk është bërë zyrtar nga asnjë përfaqësues i autorizuar i kompanisë IPKO, ne besojmë se një ofertë e tillë do të ofrohet nga IPKO, e cila siç thotë shpesh, është e para sa i përket sasisë së produkteve dhe shërbimeve si dhe inovacionit që ajo sjell për konsumatorët e saj ekzistues dhe ata potencial. / Telegrafi /