Telegrafi

IPKO me koncept të ri, tarifon bisedat jo minutin

Astrit Gashi, Drejtues për Marrëdhënie me Publikun në IPKO ka deklaruar se, Produkti i emërtuar Fillo 10, shënon fillimin e ndërrimit të konceptit të ofrimit të shërbimeve të telefonisë mobile nga ana e IPKO-së, ku konsumatorët paguajnë për bisedën dhe jo për minutën.

“Ky ndërrim koncepti në përputhje me trendet më të reja botërore të ofrimit të shërbimeve të telekomunikimit, është bërë i mundur në saje të avancimit teknologjikë të kompanisë, rrjetit shumë të fuqishëm si dhe vizionit të kompanisë për të mbajtur vendin në hap me botën në fushën e telekomunikimeve”.

Tutje Gashi ka shtuar se, për të përfituar nga produkti më i ri konsumatorët e pakos Fillo duhet që së pari të bëjnë aktivizimin e këtij produkti.

“IPKO ofron dy opsione për aktivizimin e produktit Fillo 10. Aktivizimi i pakos Fillo 10, për një javë, kushton 1 euro, ndërsa aktivizimi i pakos për një muaj kushton vetëm 3 euro. Për ta aktivizuar pakon Fillo 10, konsumatorët e telefonisë mobile IPKO, duhet të shkruajnë një SMS në numrin 123, dhe të shkruajnë – Fillo 10”.

Sipas Gashit, Pako Fillo është oferta bazë për komunikim, ndërsa ofron plane tarifore shumë të thjeshta, me çmime shumë të volitshme për të gjithë konsumatorët e telefonisë mobile IPKO.

"IPKO konsiderohet si operatori mobil me zhvillim më të shpejtë në Evropë, duke arritur qysh në vitin e parë të fillimit të shërbimit të përfitojë mbi 35 për qind të tregut si dhe mbulim rekord vendit me sinjal". /Telegrafi/