Operatori kosovar IPKO i ka rritur për 10 për qind të hyrat e saj nga shërbimet fikse në vitin 2014, ndërsa baza e përdoruesve është rritur për 20 për qind, ka thënë Robert Erzin, drejtor ekzekutiv në IPKO, raporton TelecomPaper, e cila e ka bërë një përmbledhje të të dhënave të publikuara në intervistën e Erzin dhënë të përditshmes Zëri.
Në intervistën e tij, Erzin tha ofruesit e shërbimeve të internetit, IPKO dhe Kujtesa janë nxitësit kryesor të rritjes së infrastrukturës të internetit brezëgjerë në Kosovë. Ndërsa, njëra ndër mangësitë e tregut është shkalla e ulët e depërtimit të telefonisë fikse, përkatësisht rënies së numrit të përdoruesve të këtij shërbimi.
Erzin gjithashtu ka thënë se IPKO në mënyrë të konsiderueshme është rritur në tregun e telefonisë mobile, përkatësisht ka rritur numrin e përdoruesve brenda dy viteve të kaluara, ose kalimin nga 25 për qind në 36.4 për qind të tregut të telefonisë mobile në Kosovë, siç është raportuar edhe nga ARKEP për tremujorin e tretë të vitit 2014.
Pjesëmarrja e IPKO-së në pjesën e shërbimeve fikse dhe atyre brezëgjerë është stabile, në të cilat segmente IPKO mban rreth 50 për qind të tregut, duke përfshirë edhe televizionin kabllor digjital.
Sipas Erzin, rritja e IPKO-së në treg është mundësuar nga më shumë se 250 milionë euro të investuara deri më sot në Kosovë. /Telegrafi/