IPKO të mërkurën prezantoi rezultatet e audituara vjetore të biznesit për vitin 2016. Kompania ka postuar rezultate rekorde në shërbimet fikse (internet dhe TV digjital), ndërsa rritja e saj ishte edhe më e madhe se rritja e përgjithshme e tregut kosovar.
Vitin e kaluar rritja e IPKO-s në internet dhe TV digjital ishte 14.8 për qind mesatarisht, kundrejt rritjes së tregut prej 10.8 për qind. Për më tepër, IPKO ka ndërtuar bazën e madhe të abonuesve me kontratë nga fillimi dhe e përfundoi vitin me rreth 20,000 abonentë të rinj për shërbimet e internetit dhe TV digjital.
Pavarësisht trendeve rënëse në telefoni mobile në nivel evropian, IPKO mbylli vitin 2016 me 37 për qind të tregut të telefonisë mobile, duke rritur bazën e saj të përdoruesve për pothuajse 6 për qind, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Të ardhurat vjetore të IPKO-s në vitin 2016 ishin mbi 70 milionë euro, me shkallë më të lartë të EBITDA sesa mesatarja e BE-së në 22, 9 milion euro, 561,000 euro në EBIT dhe investimet kapitale që kanë arritur 11, 9 milionë euro, gjatë vitit 2016. Për gati një dekadë në tregun e telefonisë mobile në Kosovë, investimet kapitale të IPKO-s kanë arritur nivelin më të lartë ndonjëherë, me një total prej 300 milionë eurove.
“Duke marrë parasysh faktorë të shumtë që e kanë ndikuar shumë biznesin tonë, ne e kemi mbyllë një tjetër vit me rezultate të jashtëzakonshme të biznesit. Me portofolio unike të produkteve, shërbimeve dhe kujdesit të pakrahasueshëm ndaj konsumatorëve, ne u rritëm në të gjitha segmentet e biznesit tonë duke arritur të zgjerohemi dhe ta përmirësojmë infrastrukturën e rrjetit në vendbanime të reja, ndërsa e kemi zhvendosur tregun kah pakot postpaid dhe kemi lidhur mijëra e mijëra përdorues të ri me shërbimet më bashkëkohore të telekomunikimit, në të gjithë vendin”, ka thënë Robert Erzin, Drejtor Ekzekutiv në IPKO.
“Ne jemi shumë të kënaqur që kemi mundësi të shërbejmë më shumë se 1 milion kosovarë në baza mujore, si dhe mbi 6,000 biznese dhe korporata në të gjithë vendin, duke ofruar produktet tona për më shumë se 100.000 njerëz që këto ndërmarrje punësojnë” tha më tej Erzin.”Me këto rezultate, ne jemi me të vërtetë të përkushtuar për të bërë edhe më shumë në vitin 2017″, tha ai.
Gjatë 2016, IPKO ka zgjeruar rrjetin 3G dhe 4G me njëqind antena të reja që kanë kontribuar në rritjen e mbulueshmërisë së internetit mobil në më shumë se 90 për qind të popullsisë së Kosovës. Deri më sot, 1.2 milionë kosovarë të kenë qasje në internet brezëgjerë mobil dhe fiks, ndërsa IPKO mbetet operatori më i madh në vend me rreth 50 për qind të tregut.
IPKO mbetet e përkushtuar ndaj vizionit të saj që ta bëjë Kosovën një shoqëri ndërkombëtarisht të lidhur mes individëve, komuniteteve dhe bizneseve të suksesshëm, të cilët janë krenar dhe të respektuar brenda dhe jashtë vendit. /Telegrafi/