Telegrafi

IPKO i bashkangjitet ndihmës për vërshimet

Telefonia mobile IPKO ka krijuar kod identik me atë të operatorëve mobil në Shqipëri për të lehtësuar mënyrën e dërgimit të SMS-ëve, në numrin i cili tashmë është bërë i njohur në Shqipëri.

Kodi i shkurtë për dërgimin e një SMS-i nga Kosova është 56666 me tekst “ndihma ime” dhe çdo përdorues i telefonisë mobile IPKO do të ngarkohet me 1 euro, për dërgimin e një SMS-i.

“Sikur të gjithë qytetarët e Kosovës, edhe ne jemi të përkushtuar që t’i dalim në ndihmë të qytetarëve të Shkodrës, të cilët janë prekur rëndë nga kjo fatkeqësi” deklaroi Shpend Jakupi, Drejtor Komercial në kompaninë telekomunikuese IPKO.

Përgatitjet e kompanisë IPKO për ndihmë ndaj qytetarëve të Shkodrës kanë filluar menjëherë pas promovimit të numrit 56666 në mediat shqiptare, ndërsa është synuar që forma e ndihmës të jetë identike me atë të cilën po e aplikojnë operatorët mobil në Shqipëri.

Kompania telekomunikuese IPKO është duke shqyrtuar mundësi të tjera të rritjes së kontributit të saj për banorët e dëmtuar, duke bashkëpunuar edhe me partnerët e saj strategjik në Shqipëri, kompanitë shqiptare: DigitAlb, SuperSport dhe kompaninë simotër, Primo.

Telefonia mobile IPKO i bën thirrje të gjithë konsumatorëve të saj, të dërgojnë SMS në numrin 56666 me tekst “ndihma ime”, për t’i dal në ndihmë qytetarëve shqiptar të cilët kanë pësuar dëme të shumta nga vërshimet e ujit. /telegrafi/