IPKO, ofrues i shërbimeve të telekomunikimit në Kosovë ka njoftuar sot se do vazhdojë të ofrojë shërbimin me SMS, i cili do t’i njoftojë të gjithë agjëruesit e Ramazanit për kohën e saktë të iftarit dhe syfyrit, krejtësisht falas.
Përmes këtij shërbimi, agjëruesit do të pranojnë njoftime përmes SMS-it për kohën e saktë të iftarit dhe të syfyrit, si dhe për kohët e pesë namazeve të ditës.
Ky shërbim është shumë i thjeshtë për t’u përdorur nga të gjithë agjëruesit e Ramazanit, të gjitha moshave.
“IPKO është telefonia e vetme mobile në Kosovë e cila do ta ofrojë këtë shërbim shumë të dobishëm për të gjithë agjëruesit e Ramazanit. Ne besojmë se njoftimi me SMS për kohën e lutjeve, iftarit dhe syfyrit është shumë praktik, dhe mund të përdoret nga çdo përdorues i yni, pavarësisht moshës dhe llojit të telefonit që e posedon. Qëllimi ynë është shërbimet tona ta lehtësojnë jetën e secilit përdorues, në secilin rast të dhënë”, ka thënë Flutra Shehu, menaxhere e produkteve dhe shërbimeve në IPKO.
Për ta kuptuar kohën e iftarit dhe të syfyrit, por edhe të pesë kohëve të namazit, gjatë ditës, e tëra që përdoruesi duhetë të bëjë është ta thërrasë kodin *258#. Ky kod duhet thirrur sa herë që përdoruesi dëshiron ta shohë kohën e lutjeve të ditës, iftarit apo të syfyrit.
IPKO është operatori i parë i telefonisë mobile që ofron rrjetin 3G dhe 4G në Kosovë, dhe operatori më i madh mobil për nga shkalla e mbulueshmërisë dhe numri i përdoruesve të internetit në mobil.
/Telegrafi/