Në zyrët e Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) u nënshkrua marrëveshja e anëtarësimit dhe bashkëpunimit ndërmjet kompanisë lidere në shërbimet e telekomunikimit – IPKO, dhe Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK).
Drejtori i shitjes në IPKO, Arianit Duraku dhe Menaxheri i Bizneseve të Distribuimit, Sokol Muja u pritën në OAK nga nënkryetari i Bordit, Arsim Selmonmusaj dhe Sekretari i OAK, Diamant Elshani me bashkëpunëtorë, me qëllim të bashkimit të ideve në realizimin e një ambienti me të mirë për të bërë biznes në Kosovë.
“Si kompani udhëheqëse në shërbimet e telekomunikimit në Kosovë, e cila shërben mbi 1 milion përdorues kosovar çdo muaj, dhe mijëra biznese e organizata vendore dhe të huaja, IPKO është përfaqësues i rëndësishëm i biznesit në vend, i cili bashkë me odën e afarizmit kosovar synon të kontribuojë në avancimin e pozitës së bizneseve në Kosovë” ka thënë Arianit Duraku, drejtor i shitjes në IPKO.
“Ne besojmë se është e rëndësishme që ne si investitori më i madh i huaj direkt në Kosovë, të jemi udhëzues për shumë biznese tjera në vend, me të cilët mund të ndajmë përvojat e mira të operimit në treg, por edhe vështirësitë me të cilat përballemi gjatë të bërit biznes” ka vazhduar më tej Duraku.
Gjatë ceremonisë së anëtërësimit në OAK, të dyja palët u pajtuan që tregu ka nevojë të ketë një shtyllë të rëndësishme mbështetëse të bizneseve, e cila përfaqëson interesin e biznesit, prandaj OAK është një mundësi e mirë që të gjitha bizneset të bashkohen në këtë mision.
IPKO njihet si kompania e telekomunikacionit me rritjen më të shpejtë në Evropë. Si e tillë vazhdon të jetë lider në fushën e telefonisë mobile, me përfitime të shumta për konsumatorët e saj; është ofruesi kryesor i internetit dhe gjithashtu lider në treg edhe në shërbimet e televizionit kabllor digjital. Në secilin prej këtyre segmenteve, IPKO operon me teknologjinë më të fundit dhe me rrjetin më cilësor në treg. /Telegrafi/