Site icon Telegrafi

IPKO 50 mijë euro donacion për shkollat fillore nëpër fshatra

Pas finalizimit të projektit të saj me 30 shkolla fillore publike nëpër fshatra vitin e kaluar, këtë vit IPKO do ta vazhdojë projektin e saj filantropik edhe me mbështetjen e 20 shkollave tjera në zonat e ndryshme rurale të Kosovës.

Mësuesit dhe fëmijët e zgjedhin projektin më të rëndësishëm për shkollën, ndërsa IPKO e zbaton atë. Ky është projekti filantropik të cilin IPKO në bashkëpunim me drejtoritë komunale të arsimit e ka filluar në vitin 2014, ndërsa i njëjti pritet të vazhdojë edhe këtë vit.

Totali i projektit të IPKO-së me shkollat publike do të jetë 50 mijë euro, ndërsa projekti i njëjtë pritet të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm me dhjetëra shkolla të tjera publike, të cilave kompania do t’ua mbështesë projektet dhe nevojat e tyre për përmirësimin e ambientit për mësim.

“IPKO është e përkushtuar që t’i ndihmojë fëmijët dhe shoqërinë kosovare në përgjithësi, në përmirësimin e arsimit të obliguar dhe uljen e shkallës së analfabetizmit. Kjo, pasi që ne besojmë se edukimi është indikatori kyç i cili mund ta përshpejtojë më së shumti zhvillimin e përgjithshëm social, por edhe ta vendos të ardhmen e sigurt tek fëmijët” ka thënë Robert Erzin, drejtor ekzekutiv në IPKO.

Në mesin e kërkesave të realizuara nga shkollat në 2014 kanë qenë edhe mbjellja e fidaneve në oborrin e shkollës, lyerja e klasave, rregullimi i këndit të lojërave për fëmijët, vendosja e rrethojave në oborrin e shkollës, pajisja e shkollës me projektor, laptop dhe TV, plotësimi i bibliotekës me libra të rinj, krijimi i fushave të sportit, rregullimi i toaleteve brenda shkollës, rregullimi i hyrjes së shkollës, kompletimi i kabineteve të artit, muzikës me pajisje, dhe shumë kërkesa të tjera të ngjashme, të cilat e kanë përmirësuar ndjeshëm mirëqenien e nxënësve të shkollës.

Qëllimi i përgjithshëm i projektit është mbështetja e fëmijëve në zona rurale dhe zona më pak të zhvilluara të Kosovës, ofrimin e kushteve më të mira për fëmijët që ndjekin arsimin e detyruar, stimulimin e të menduarit krijues mes fëmijëve, mbështetje, zhvillim të njohurive themelore rreth shkencës dhe shoqërisë, në mënyrë që fëmijët të mos shqetësohen për nevojat themelore për shkollim edhe edukim normal, i cili duhet të jetë i papenguar nga varfëria. /Telegrafi/

Exit mobile version