Site icon Telegrafi

IPK rekomandon suspendimin e gjashtë policëve – dyshohet se ushtruan dhunë ndaj një qytetari

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), njofton se Departamenti i Hetimeve ka pranuar të enjten ankesë nga një qytetar, për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë në Ferizaj.

Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur në orët e hershme të mëngjesit, kur qytetari ishte ndaluar nga policia fillimisht si i dyshuar për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

“Rasti është regjistruar në IPK dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore”, thuhet në komunikatën për media.

Përderisa hetimi është duke vazhduar ndaj gjashtë zyrtarëve policorë, IPK bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tyre.

“Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti”, thuhet tutje. /Telegrafi/

Exit mobile version