Site icon Telegrafi

IPK jep detaje për aksidentin me fatalitet në Skenderaj, u shkaktua si pasojë e humbjes së kontrollit të veturës nga polici

Inspektorati Policor i Kosovës, ka njoftuar se hetuesit e IPK-së mbrëmë rreth orës 19:00 janë njoftuar nga Policia e Kosovës për një aksident të rëndë trafiku, ku ishte përfshirë një veturë zyrtare e policisë dhe një veturë civile.

Aksidenti ka ndodhur në rrugën rajonale Mitrovicë – Pejë, në fshatin Çubrel, rreth orës 18:40.

“Pas pranimit të informacionit, hetuesit e IPK-së kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku janë bashkuar me ekipet tjera policore dhe prokurorinë për të realizuar këqyrjen e vendit të aksidentit,” thuhet në njoftimin e IPK-së.

Sipas IPK-së dyshohet se aksidenti ka ndodhur si pasojë e “mos përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të policisë, i cili ka kaluar në shiritin e kundërt dhe ka goditur veturën civile”.

Lexo po ashtu Tre policë të lënduar në aksidentin me fatalitet në Skenderaj po trajtohen në QKUK – një ka pësuar lëndime në tru

Si pasojë e aksidentit, tre persona (një mashkull dhe dy femra) që ndodheshin në veturën civile kanë humbur jetën. Trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Po ashtu, katër zyrtarë policorë dhe një qytetar nga vetura civile kanë pësuar lëndime të rënda dhe janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim mjekësor.

Në kuadër të procedurave administrative dhe për të mbështetur hetimin, IPK ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor i cili ka qenë drejtues i automjetit zyrtar të policisë në momentin e aksidentit.

Hetimet po vazhdojnë në koordinim me prokurorin kompetent. /Telegrafi/

Exit mobile version