Telegrafi

​IPK del me 11 rekomandime për trajtimin e rasteve të trafikimit me narkotikë

Inspektorati Policor i Kosovës ka publikuar raportin e inspektimit të jashtëzakonshëm lidhur me “Vlerësimin e trajtimit dhe procedimit të rasteve të trafikimit me narkotikë”.

IPK në kuadër të raportit ka dhënë 11 rekomandime, që kanë të bëjnë me nevojën e ushtrimit të kontrolleve mbi hetuesit që raportimi mbi veprat penale të praktikohet edhe përmes raporteve njoftuese, përpilimin e planeve të hetimit, raportimin e rregullt dhe të plotë mbi zbatimin e masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit, kompletimin dhe mirëmbajtjen e dosjeve, sigurimin e urdhëresave retro-aktive për fuqizimin e kontrolleve të shtëpive/objekteve përcjellëse dhe automjeteve, dokumentimin e testimeve fushore të substancave narkotike, intervistimin e të dyshuarve dhe dëshmitarëve potencial, administrimin e dëshmive në dhomat e veçanta, ngritjen e efikasitetit dhe efektivitetit në trajtimin e rasteve, etj.

Bazuar në gjetjet e këtij raporti, IPK do të iniciojë procedura ndaj zyrtarëve në kuadër të njësive hetimore të inspektuara, lidhur me mos përpushjen e detyrave dhe obligimeve që rrjedhin nga përshkrimet e vendeve e punës, si rezultat i mos menaxhimit të duhur të rasteve të trafikimit me narkotikë, dosjeve dhe dëshmive.

Gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për strukturën përkatëse policore, përfshirë nivelin drejtues dhe atë hetimor.

Inspektimi është realizuar me kërkesë të Departamentit të Hetimeve të IPK-së dhe me autorizim të kryeshefit ekzekutiv të IPK-së. Inspektimi është përqendruar në Drejtorinë e Hetimit të Trafikimit me Narkotikë, me theks të veçantë në dy Njësitë e Hetimit të Narkotikëve në Prizren dhe Gjakovë.

Kërkesa për inspektim ka ardhur si rrjedhojë e shqetësimeve nga burime të informacionit, mbi trajtimin e rasteve dhe administrimin e provave dhe dosjeve.

Inspektimi është fokusuar te veprimet hetimore policore, bashkëpunimi me Prokurorinë e Shtetit, zbatimi i autorizimeve dhe urdhëresave, administrimi i provave, menaxhimi i kohës së hetimeve, mirëmbajtja e evidencave dhe dosjeve, etj.

Raporti i plotë është publikuar në faqen zyrtare të IPK-së – shih linkun në vijim: https://ipk.rks-gov.net/Medias/RAPORT I INSPEKTIMIT NR. 3-2024 – VLERËSIMI I TRAJTIMIT DHE PROCEDIMIT TË RASTE-d2cd626b-7de6-4a31-af79-0c0fc69c39fa.pdf