Telegrafi

iPhone 5S, me dy dimensione të ekranit?

Edhe modeli i ri i telefonit të Apple, iPhone 5 i cili ka ekran me madhësi prej 4 inç, konsiderohet si i vogël për standardet e sotme. 
Prandaj, thuhet se Apple ka vendosur që gjeneratën e re të telefonit të saj, iPhone 5S ta ofrojë në madhësi të ndryshme të ekranit, për të ofruar më shumë zgjidhje për preferencat e ndryshme të konsumatorëve, si dhe të krijojë më shumë konkurrencë në treg.

Një analist i Topkea Capital Markets beson se Apple gjatë kësaj vere do ta lansojë iPhone 5S me të paktën dy ose tri madhësi të ndryshme të ekranit.

“Ne besojmë se Apple është bindur se debutimi i modelit të ri të iPhone me vetëm një madhësi të ekranit nuk i përshtatet secilit konsumator, prandaj ajo do të fillojë me ofrimin e më shumë opsioneve të cilat do ta rrisin zgjedhjen e konsumatorit, si dhe pjesëmarrjen e saj në treg” ka thënë Berry White në letrën e tij drejtuar investitorëve.

Sipas tij, brenda vitit Apple gjithashtu do të ofrojë edhe modelin e lirë të iPhone, mirëpo nuk duhet të pritet që ky model të kushtojë 150 ose 200 dollarë, pasi që çmimi i përafërt i këtij modeli do të jetë rreth 300 dollarë.
Thashethemet e fundit sugjerojnë se iPhone 5S do të vijë me procesor më të shpejtë, kamerë më të mirë, dhe versionin e ri të sistemit operativ të Apple, iOS. / Telegrafi /