Site icon Telegrafi

Ipeshkvi i Kosovës: Paqja ndërtohet duke respektuar kishën e xhaminë

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ka deklaruar se paqja ndërtohet vetëm duke respektuar kishën e xhaminë, duke dashur njëri-tjetrin dhe duke respektuar shtetin.

Këto komente Imzot Dodë Gjergji i bëri në Llpaushnik të Drenasit, ku po mbahet mesha për shugurimin e kishës së “Shën Abrahamit”.

Gjergji ka deklaruar se nuk ka paqe pa dashuri, pa kisha e xhami dhe pa shtet. Ai ka shtuar se Zoti i ka krijuar njerëzit të jenë të lirë dhe jo të sundohen.

Pse duhet të përpiqemi që t’ia okupojmë shpirtin njëri-tjetrit dhe të mos lejojmë që të jetojmë të lirë. Një mysliman dhe një i krishterë mund të jetojnë në paqe. Për këtë jemi dëshmitarë, disa i janë kthyer fesë së të parëve, që do të thotë të krishterë, dhe disa kanë vendosur që të jenë mysliman, fesë së baballarëve dhe nuk ka asgjë të keqe”, ka deklaruar Gjergji.

“Ky identitet fetar dhe kombëtar që na bashkon, na jep neve të gjithëve domethënie të veçantë para botës”.

“Simboli i sakrificës së Jasharajve, në vend të kullave, vendi është rrethuar me varre. Ata janë shembulli më i mirë i artit të jetuarit pa nënshtrim ndaj okupimit”.

Në këtë meshë po marrin pjesë qytetarë të shumtë dhe liderë institucionesh, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ministrat Kujtim Shala e Enver Hoxhaj, kryetari i komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, e të tjerë.

Exit mobile version