Interi e ka nisur mbrojtjen e titullit të kampionit me një barazim dramatik në udhëtim te Genoa 2-2.
Trajneri i Interit, SImone Inzagi, ka qenë shumë i pakënaqur me mënyrën se si ekipi i tij pa t’i ikte nga duart fitorja në ndeshjen ndaj Genoas.
Skuadra vendase barazoi në sekondat e fundit të ndeshjes, derisa Inzaghi ka thënë se duhej të reagonin më mirë
“Ka zhgënjim, për mendimin tim djemtë luajtën një ndeshje serioze, të përqendruar. Ne patëm një pjesë të parë të mirë, ku krijuam shumë dhe pësuam një gol me fat, një aksident”.
“Pastaj bëmë mirë që u rikuperuam, ishte rasti i Dimarcos me një ndalesë të mrekullueshme të Badeljit. Në pjesën e dytë ishim më të ngadaltë për të qarkulluar topin, më pas në minutën e 84-t gjetëm golin e avantazhit dhe nuk u kënaqa”.
“Pas golit duhej ta kishim menaxhuar më mirë topin. Duke pësuar dy gola të tillë është e vështirë të fitosh ndeshje si kjo. Është meritë e Genoas, por është një barazim që nuk na kënaq me atë që krijoi. Një skuadër si e jona, në avantazh në minutën e 84-të, nuk duhet të pësojë gol, sidomos në atë mënyrë”.
“Ishin episode, sepse e pashë skuadrën të përqendruar mendërisht. Nuk është një fushë e lehtë, ku ne gjithmonë kemi luftuar, por kam pasur ndjesi shumë të mira”.
L'intervista integrale del Mister dopo la sfida di questa sera 👇#ForzaInter #GenoaInter
— Inter ⭐⭐ (@Inter) August 17, 2024
“Pastaj është normale, nëse rishikojmë episodet e dy golave është e vështirë të sjellësh rezultat në shtëpi me dy episode si këto. Është e qartë, është 17 gushti dhe së fundmi kemi filluar të punojmë sërish bashkë: Unë kam pak për të thënë për impenjimin, por nuk pësohen dy gola kështu”.
“Të fitosh është e vështirë dhe të fitosh përsëri është edhe më shumë. Djemtë e dinë këtë, janë të pjekur dhe kjo është arsyeja pse unë jam i zhgënjyer. Duke e nisur këtu kampionatin, duke ditur vështirësitë që patën pas Kampionatit Evropian dhe Kupës së Amerikës, merr epërsinë në momentin më të mirë dhe ne duhej të ishim më mirë në menaxhim, duke mos e humbur atë top pas penal”, tha Inzaghi. /Telegrafi/