Trajneri i Interit, Simone Inzaghi është prononcuar për media pas fitores spektakolare që ekipi i tij arriti në derbi ndaj Milanit.
Tekiku italian tha se ende i pret një rrugë e gjatë përpara, dhe se ata duhet të jenë të gatshëm për sfidat e radhës.
“Ne patëm një start të mirë dhe qëndruam të koncentruar, shënuam gola në çastet e duhura, ndërkohë ata që u futën nga banka treguan paraqitje mjaft të mirë. Unë i përgëzova djemtë për startin e sezonit, ne jemi shumë të lumtur që jemi në gjendje t’i bëjmë fansat e Interit të festojnë, por ndeshjet e vështira po vijnë dhe ne duhet të jemi të gatshëm”, ka thënë fillimisht Inzaghi.
Shumë persona e vënë në pikëpyetje vendimin e Inzaghit për ta lënë Davide Frattesin në bankën rezervë dhe për ta inkuadruar në vend të tij Henrikh Mkhitaryan, por armeni heshti sot të gjithë zërat kritikë, dhe për këtë edhe Inzaghi dha opinionin e tij.
“Ne të gjithë e njohim Mkhitaryan, unë e marrë parasysh vetëm atë që djemtë bëjnë në stërvitje. Isha pak i shqetësuar rreth kësaj ndeshje, sepse kishim pothuajse vetëm 24 orë për ta përgatitur ndeshjen me lojtarët që u rikthyen nga kombëtaret”.
“Ne do të luajmë çdo tri ditë nga tash e tutje, kështu që do na duhet ndihma dhe kontributi i secilit, dhe unë vetëm mund t’i falenderojë ata të cilët erdhën sot nga banka sepse na kanë dhënë një shtysë të madhe”, ka thënë Inzaghi./Telegrafi/