Telegrafi

Inzaghi ndeshjen ndaj Lazios e konsideron si ndër më të mirat prej se është pjesë e Interit

Interi ka arritur të fitoj të dielën një ndeshje shumë të rëndësishme ndaj Lazios në kampionat, madje ishte një fitore me rikthim 3-1.

Rikthimi i madh i Interit ndodhi në 12 minutat e fundit të ndeshjes, kur Lautaro Martinez shënoi dy gola dhe Robin Gosens një tjetër në përmbysjen e madhe.

Trajneri i Interit, Simone Inzaghi e ka vlerësuar ndeshjen ndaj Lazios si një nga më të mirat e Neroazzurëve këtë edicion.

“Kjo është një nga paraqitjet tona më të mira që kur unë jam në krye të skuadrës. E pashë që ishim në rrugën e duhur dhe ia kam thënë këtë edhe skuadrës në pushimin mes pjesëve edhe pse ishim në disavantazh”.

“Po luanim ndaj ekipit që ishte i dyti në renditje dhe Interi im ishte shumë i bukur për t’u parë. E dinim sa e rëndësishme ishte, ashtu si do të jetë ajo e së mërkurës kundër Veronës. Mora sinjale të shkëlqyera nga të gjithë, pashë një shpirt grupi të çmendur”, deklaroi Inzaghi.

“Në fund të pjesës së parë e dija që nuk e meritonim atë rezultat dhe u thashë djemve të bënin atë që kishim përgatitur dhe të qëndronim të fokusuar. Zëvendësimet ishin të rëndësishme, ashtu si ishin edhe ata që nisën titullarë. Jemi prapa në renditje dhe duhet të vazhdojmë kështu”.

Tutje trajneri italian e vlerëson si pozitiv sezonin deri më tani, edhe pse kanë shumë për të bërë deri në fundin e saj.

“Ne po jetojmë një sezon emocionues dhe po e jetojmë së bashku me tifozët tanë. Në Serinë A humbëm disa pikë të rëndësishme që nuk i meritonim, por ndërkohë luajtëm ndeshje të nivelit të lartë në Evropë”.

“Jam plotësisht i kënaqur për Kupat, të mos harrojmë që më 18 janar fituam edhe trofeun e vetëm të dhënë deri më tani në Itali. Kjo më jep shumë besim dhe jam dakord me Marotën kur thotë që ky sezon është pozitiv”, u shpreh Inzaghi. /Telegrafi/