Interi ka marrë fitoren e katërt radhazi në Serie A, teksa ka mposhtur Sampdorian me rezultat të thellë 4-0.
Ka qenë një ndeshje e dominuar nga fillimi e deri në fund nga skuadra zikaltër që tani e shohin vetën në pozitën e pestë në tabelë me 24 pikë të tubuara.
Trajneri i Interit, Simone Inzaghi ka mbetur shumë i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve të tij në këtë duel, teksa ka folur edhe për ndeshjen e radhës ndaj Juventusit.
“Djemtë po argëtohen në fushë, lojtarë të rëndësishëm po kthehen. Vetëm Brozovic mungon, le të shohim nëse mund ta rikuperojmë të dielën ndaj Juventusit”.
“Ne bëmë gjërat e duhura gjatë pushimit. Pas nokautit kundër Romës e pashë ekipin në rikuperim të qartë. Kalendari nuk ishte i lehtë, por e dinim se do të ktheheshim përsëri”, deklaroi Inzaghi.
Tutje trajneri italian ka folur për ecurinë pozitive të skuadrës së tij, si dhe ka lavdëruar portierin Andre Onana dhe sulmuesin Joaquin Correa.
“Tani vijmë nga një seri e bukur pozitive, por kampionati është i gjatë, të gjithë janë shumë të fortë, gjithsesi ne duhet të përqendrohemi në Serinë A, dhe do të mendojmë për Ligën e Kampionëve nga shkurti. Është mirë të mos pësosh gola. Onana ishte mirë, tani duhet të vazhdojmë dhe të përmirësohemi për të ngushtuar diferencën me kryesuesit”.
“Kemi fituar gjashtë ndeshje dhe barazuam në Barcelonë, duhet të vazhdojmë sepse është një kampionat ku të gjithë janë të forte. Unë jam gjithashtu i lumtur për Korrean, shënoi një gol fantastik. Kam nevojë për të gjithë”, deklaroi trajneri italian.
Ndeshjen e radhës Interi e zhvillon në mesjavë në udhëtim te Bayern Munich në Ligën e Kampionëve, derisa në fundjavë do të përballet me Juventusin në kuadër të Serie A. /Telegrafi/