Telegrafi

Inzaghi identifikon një aspekt të ndeshjes që nuk i pëlqeu në fitoren ndaj Lazios

Simone Inzaghi beson se gjëja e vetme negative në fitoren me rezultat 3-0 ndaj Lazios ishte rezultati përfundimtar i takimit, pasi që sipas tij mund të kishin shënuar më shumë gola.

Ish-trajneri i Lazios tani ka mundësinë të fitojë titullin e pestë të Superkupës së Italisë në karrierën e tij, teksa do të përballet me Napolin në finale ditën e hënë.

Rezultati përfundimtar i ndeshjes nuk reflekton në tërësi dominimin që pati Interi në këtë ndeshje, të cilën e fituan falë golave nga Marcus Thuram, Hakan Calhanoglu dhe Davide Frattesi.

Ata kishin një mori rastesh, duke goditur shtyllën dy herë me Nicolo Barella dhe Lautaro Martinez.

Lexo po ashtu Inter mposht me lehtësi Lazion dhe kalon në finale të Superkupës së Italisë

“Djemtë kanë bërë shumë mirë, ne kishim një performancë të madhe, menjëherë e patëm çasjen e duhur. Tani jemi në finale, ne duhet të rikuperojmë energjitë brenda dy ditëve, pasi do të jetë shumë e vështirë ndaj Napolit”, ka thënë Inzaghi për Mediaset.

“Ne nuk kemi luajtur këtë format asnjëherë më herët, por ky është futbolli tani, ne duhet të adaptohemi dhe unë i kam përgëzuar djemtë sonte, pasi e shijova duke i parë ata”.

“Avantazhi prej vetëm 1-0 në pjesën e parë duke konsideruar rastet që kishim, ishte gjëja e vetme negative këtë ndeshjen por eventualisht ne fituam 3-0, goditëm shtyllën dy herë, kështu që jam i kënaqur”, përfundoi tekniku italian./Telegrafi/