Telegrafi

Inzaghi flet pas humbjes nga Bologna dhe ka disa fjalë për portierin Radu

Interi ka pësuar një humbje shokuese në udhëtim te Bologna 2-1, falë një gabimi skandaloz nga Andrei Radu.

Pas kësaj humbje, tani gjasat e Interit për titull zvogëlohen, pasi jo gjithçka varet nga rezultatet e tyre.

Pas ndeshjes trajneri Simone Inzaghi ka folur për portierin rumun Radu, duke thënë se ai është shumë i mirë dhe ka një të ardhme të ndritur.

“Ai kishte luajtur shumë mirë në Kupën e Italisë ndaj Empolit dhe stërvitet në mënyrën më të mirë të mundshme”.

“Radu duhet ta mbajë kokën lart, pasi e pret një e ardhme e ndritur. Është shumë i zoti, por një gabim si ky u ka ndodhur të gjithëve”, u shpreh trajneri italian.

Megjithatë trajneri Inzaghi thotë se ka inat për golin e parë të pësuar nga vendasit.

Lexo po ashtu Gabimi i portierit Radu që mund t’i kushtojë Interit me titullin e kampionit – lotët nuk i ndali pas ndeshjes

“Unë jam më shumë i zhgënjyer me golin e parë, pasi Arnautovic u la i lirë në zonë, ndërsa Barrow e lejuam të harkojë i pashqetësuar dhe ta dërgojë topin aty ku duhet”.

“Duhej ta mbyllnim ndeshjen që në pjesën e parë, por shpërdoruam shumë mundësi dhe më pas pësuam golin e barazimit në të parin rast të tyre”, u shpreh Inzaghi.

I pari i shtabit teknik të Nerozzurëve ka thënë se kjo humbje është zhgënjyese, por që duhet të luftojnë në katër ndeshjet e mbetura pavarësisht se titulli nuk është që varet nga rezultatet e tyre.

“Pas një humbjeje si kjo, ka shumë zhgënjim dhe kjo është normale, por duhet të reagojmë shpejt. Titulli nuk është në dorën tonë, por jemi vetëm dy pikë larg kreut dhe ka ende edhe katër javë. Gjithçka mund të rikuperohet”, përfundoi trajneri italian. /Telegrafi/